Jo vetëm Llogaraja, zbulohet kallëzimi i ri në SPAK për Ballukun
“Një pensionist mori koncesionin 60 mln euro për projektin e Triportit të Vlorës”
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka bërë një tjetër denoncim të fortë lidhur me projektin e Triportit të Vlorës, ku sipas tij, koncesioni me vlerë rreth 60 milionë euro i është dhënë një subjekti krejtësisht të papërshtatshëm.
Sipas Bardhit, bëhet fjalë për një pensionist i cili, ndonëse nuk plotëson asnjë kusht teknik apo profesional për një projekt të kësaj madhësie, rezulton të zotërojë 92% të aksioneve të kompanisë së përzgjedhur për Triportin.
“Një pensionist që merr koncesion 60 milionë euro. Krijohet kompania sot, hyn, fiton koncesionin dhe 92% të kompanisë i zotëron një person që nuk plotëson asnjë kriter për ndërtimin e Triportit në Vlorë”, deklaroi Bardhi.
Ai shtoi se PD po përgatit një kallëzim të ri penal mbi këtë çështje, duke iu referuar investigimit të publikuar së fundmi nga emisioni “Piranjat”, i cili ngriti dyshime të forta mbi skemën e fitimit të koncesionit.
Bardhi theksoi gjithashtu se të gjitha kallëzimet e tij të mëparshme që lidhen me projektet nën përgjegjësinë e ministres Belinda Balluku duhet të hetohen nga SPAK, duke nënvizuar se si kallëzues ai ka të drejtë të kërkojë informacion zyrtar për ecurinë e dosjeve.
“Unë jam kallëzues dhe kam të drejtën e kërkesës për informacion. Të gjitha kallëzimet për Belinda Ballukun duhet të hetohen nga SPAK”, u shpreh ai.
Dosja e Triportit të Vlorës është një nga projektet më të debatueshme infrastrukturore të viteve të fundit, ndërsa opozita akuzon qeverinë për favorizim klientelist dhe përdorim fiktiv të kompanive guackë për marrjen e koncesioneve strategjike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



