Jorida Tabaku: I pabesueshëm korrupsioni në institucione publike
Komisionet Hetimore të çrrënjosin të keqen e vendit
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku, e ftuar në rubrikën Opinion , u shpreh se është i pabesueshëm korrupsioni në institucionet publike.
Tabaku theksoi se Komisionet Hetimore, që janë ngritur me iniciativë të Partisë Demokratike, duhet të çrrënjosin të keqen e vendit.
“Jemi një vit me vonesë. Duhet që çështja t’i shkojë GJK për interpretim. U zhbllokua çështja për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Komisionet Hetimore duhet që të lëvizin më shumë. Akoma nuk kemi nisur marrjen e informacionit dhe bërjen e transparencës. Në lidhje me Komisionet Hetimore, ligji i ri nuk është aq dashamirës sa ishte më parë. PS ka shprehur gjithë frustrimet te ligji në Komisione. Kemi thyer një akull, pasi për inceneratorët kemi disa persona në burg, që kanë mbajtur funksione të larta.
Politika duhet të ikë nga akuzat e baltës dhe duhet të kthehet në rrugën që të bëhet politikë me rregulla. Është i pabesueshëm korrupsioni në institucione publike. Kush ia kthen buxhetit të shtetit miliona euro të inceneratorëve? Shumë kompani nuk fitojnë dot një tender, sepse ekziston nepotizmi dhe fitojnë kompani të caktuara. Fatkeqësisht korrupsioni është kthyer në kulturë”, deklaroi Tabaku.
Deputetja demokrate u shpreh se ‘kompanitë që ndërtojnë në Tiranë nuk mund të jenë me kapital zero, nuk mund të kenë lidhje të ngushta me zyrtarë të lartë, por se duhet që të plotësojnë disa kushte themelore’.
Ajo deklaroi se disa person bashkëpunojnë me grupet kriminale për të dëmtuar buxhetin e shtetit.
“Në këtë qeverisje korrupsioni është kulturë. Çdo ligj që kalon në parlament duhet ta ketë frymën antikorrupsion. Kompanitë që ndërtojnë në Tiranë nuk mund të jenë me kapital zero, që janë të lidhura me zyrtarë të lartë. Nuk mund të marrin statusin e investitorit strategjik të tilla kompani. Legjislacioni duhet të vendosë disa ndalesa. Kompani që nuk kanë realizuar më parë punime, kompani që vijnë nga persona me precedentë kriminal nuk mund të marrin përsipër punime, të gjitha janë sipas legjislacionit të BE-së dhe nuk u miratuan.
Ky duhet të jetë fokusi, çrrënjosja e kësaj kulture. Këtu bëhet fjalë për grupe kriminale. Sepse kur pesë persona bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për ta dëmtuar buxhetin e shtetit, bëhet fjalë për grup të strukturuar kriminal. Dhe kur operon nën kryetarin e bashkisë, i bie që është ose i paaftë ose budalla, se rezulton që nuk ka marrë vesh asgjë çfarë ka ndodhur”, tha Tabaku.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



