“Ju erdhi fundi”, sot protesta e 36-të kundër qeverisë
Lëvizja protestuese kundër kryeministrit Edi Rama vijon pa ndërprerje, duke hyrë në një tjetër fazë të rëndësishme mobilizimi qytetar. Ditën e sotme, në orën 19:00, pritet të zhvillohet protesta e 36-të radhazi në kryeqytet, ku mijëra qytetarë do të mblidhen sërish për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kreut të qeverisë.
Organizatorët e këtij tubimi kanë bërë një apel të fortë për pjesëmarrje të gjerë, duke ftuar jo vetëm qytetarët nga çdo zonë e Shqipërisë, por edhe shqiptarët e diasporës që ndodhen në vend, të bëhen pjesë e kësaj proteste që konsiderohet vendimtare.
Sipas skenarit të paralajmëruar, grumbullimi fillestar do të nisë në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas me një marshim drejt godinës së Kryeministrisë. Pikërisht aty pritet të përqendrohet kulmi i protestës dhe mesazhi kryesor i revoltës qytetare.
Kërkesa themelore e protestuesve mbetet e pandryshuar: largimi i Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë. Organizatorët kanë theksuar se protestat do të vazhdojnë pa ndërprerje dhe se qytetarët nuk do të tërhiqen deri në arritjen e këtij objektivi. Me sloganin e drejtpërdrejtë “Ju erdhi fundi”, ata synojnë të mobilizojnë pjesëmarrje sa më të madhe dhe të përcjellin mesazhin se mbështetja ndaj qeverisë aktuale është në rënie.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



