“Ka një diell që m’shoqnon kudo…”, Jozi reagon pas vendimit të Apelit
Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj këngëtarit Jozefin Marku, duke vendosur që ai të vijojë procedurat nën masën “detyrim paraqitje”.
Pas vendimit të gjykatës, Marku ka reaguar në rrjetet sociale me një mesazh që duket se lidhet me periudhën e vështirë që po kalon. Këngëtari nuk i është referuar drejtpërdrejt çështjes penale apo vendimit të Apelit, por ka publikuar një fotografi të tij në “Instastory”, të shoqëruar me një mesazh emocional.
“Ka një diell që m’shoqnon kudo… Ma ndriçon rrugën edhe atëherë kur përreth bëhet errësirë. Nuk më tregon vetëm ku të shkoj, por më kujton çdo ditë të mos ndalem së ndriçuar edhe vetë. Ju Dua.”
Në postimin e tij, këngëtari ka vendosur edhe këngën “Ylli i mbrëmjes”, duke e shoqëruar mesazhin me një tjetër element simbolik.
Marku u arrestua në fillim të shtatorit, pas publikimit të disa pamjeve filmike që lidhen me një ngjarje dhune. Sipas akuzave të ngritura për këtë çështje, në pamje ai dhe persona të tjerë shfaqen duke dhunuar Eduard Kuçin.
Me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit, masa e sigurisë ndaj këngëtarit është zëvendësuar dhe ai do ta vijojë procesin penal nën “detyrim paraqitje”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




