Prokuroria kërkon “arrest me burg” për Jozefin Markun
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për këngëtarin Jozefin Marku, i arrestuar në kuadër të hetimeve për dhunimin e 26-vjeçarit Eduard Kuçi.
Kërkesa për masën e sigurisë është depozituar këtë të hënë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës dhe përfshin edhe Kristjan Nikollin, i ndaluar nga Policia e Tiranës lidhur me të njëjtën ngjarje.
Sipas hetimeve, Marku dyshohet për disa vepra penale, ndërsa ndaj Nikollit rëndojnë akuza të tjera që lidhen me ngjarjen. Prokuroria ka kërkuar që të dy të qëndrojnë në burg deri në vijim të hetimeve.
Për Jozefin Markun, akuza kryesore e ngritur deri tani është ajo e “Heqjes së paligjshme të lirisë”, ndërsa pjesa tjetër e veprave penale është ende në fazën e verifikimit nga organi i akuzës.
Ndërkohë, Kristjan Nikolli dyshohet se ka drejtuar automjetin tip “Land Rover” që, sipas hetimeve, është përdorur gjatë ngjarjes. Atij i atribuohen edhe akuzat për “Përkrahjen e autorit të krimit” dhe “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, bombave ose minave dhe të municionit”.
Gjatë kontrollit në banesën e Nikollit, policia ka sekuestruar një sasi municioni, ndërsa është sekuestruar edhe automjeti “Land Rover”, i cili po verifikohet si pjesë e provave të dosjes.
Sipas Policisë së Tiranës, Marku dhe Nikolli dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë dhunuar Eduard Kuçin pas një konflikti që dyshohet se kishte nisur për shkak të disa postimeve dhe komenteve në rrjetet sociale.
Në kuadër të hetimit janë shpallur në kërkim edhe A. H., 48 vjeç, dhe K. V., 27 vjeç. Policia dhe Prokuroria vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në ngjarje.
Tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Tiranës për masën e sigurisë ndaj dy të arrestuarve. Seanca pritet të zhvillohet brenda afatit procedural dhe me dyer të mbyllura.
Ndërkohë, Eduard Kuçi është marrë në pyetje nga autoritetet në lidhje me ngjarjen, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



