E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kamera e Adi Hilës ishte drejtuar nga krevati, jo nga kasaforta
Lajme

Kamera e Adi Hilës ishte drejtuar nga krevati, jo nga kasaforta

Eksperti Softa ngre pikëpyetje për pamjet intime

Eksperti i sigurisë Fatjon Softa analizoi pozicionimin e kamerës nga e cila dyshohet se janë marrë pamjet intime të kompozitorit Adi Hila, duke ngritur pikëpyetje mbi funksionin e saj dhe duke folur edhe për mundësinë e një hakerimi të sistemit.

Pozicionimi i kamerës nga e cila dyshohet se janë siguruar pamjet intime të kompozitorit Adi Hila është një prej elementeve që ka ngritur pikëpyetje mbi qëllimin për të cilin ajo ishte vendosur.

Duke folur në emisionin “News24 Fundjavë”, eksperti i sigurisë Fatjon Softa u ndal te mënyra se si ishte orientuar kamera, mundësia që sistemi të jetë hakuar dhe skenarët e mundshëm për shpërndarjen e materialeve të regjistruara.

Sipas Softës, fillimisht duhet bërë një dallim mes kamerave të sigurisë dhe kamerave të fshehta. Ai e konsideroi veçanërisht të rëndësishëm faktin që kamera në fjalë ishte e orientuar drejt krevatit.

“Kamerat e sigurisë duhet të ndahen nga kamerat e fshehta. Këto të dytat vendosen sepse prona jote mund të rrezikohet apo abuzohet. Kur e përdor si një ambient privat, gjërat ndryshojnë. Kamera ishte e drejtuar drejt krevatit, jo, për shembull, në drejtim të kasafortës”, tha Softa.

Eksperti argumentoi se orientimi i pajisjes mund të jetë një element që duhet shqyrtuar nga hetuesit për të përcaktuar funksionin e saj.

“Nuk ka qëllime sigurie, por marrje të pamjeve. Fakti që kemi pamje filmike që kanë intimitet, tregon se qëllimi i vendosjes së kamerave ishte i ndryshëm nga ai i sigurisë”, u shpreh eksperti.

Softa: Nëse ka pasur hakerim, duhet zbuluar mënyra e ndërhyrjes

Një tjetër pistë e diskutuar nga Softa ishte mundësia e një ndërhyrjeje të jashtme në sistemin e kamerës.

Sipas tij, nëse hetimi do të arrijë në përfundimin se sistemi është hakuar, duhet përcaktuar mënyra se si është siguruar aksesi dhe cili ka qenë qëllimi i ndërhyrjes.

“Nëse flasim për hakerim, duhet të flasim për pse. Kur flasim për hakerim, dikush ka hyrë në sistem dhe ka thyer kodin e sigurisë. Kur personi në fjalë thotë ‘nuk kam pasur filmim’, duhet parë se si është hakeruar”, tha ai.

Softa shpjegoi gjithashtu se funksionimi i një sistemi kamerash nuk nënkupton domosdoshmërisht praninë e vazhdueshme të një personi që monitoron pamjet. Sipas tij, regjistrimet mund të ruhen automatikisht në një sistem arkivimi.

“Nuk do të hyjë dikush 24 orë të kontrollojë një kamera që ke vendosur ti. Pamjet janë ruajtur diku si arkivë”, deklaroi Softa.

“Në Telegram ka grupe ku pamjet shiten dhe publikohen”

Eksperti foli edhe për mënyrën se si materiale të regjistruara nga kamera mund të përfundojnë në internet, duke përmendur Telegramin dhe grupe ku, sipas tij, qarkullojnë materiale të tilla.

“Në Telegram ka grupe të hapura që kanë kamera të fshehta për persona të ndryshëm. Pamjet shiten dhe publikohen, përdoren për shantazh”, u shpreh eksperti i sigurisë.

Deklaratat e Softës vijnë në një kohë kur autoritetet po hetojnë origjinën e pamjeve intime të publikuara online, mënyrën se si janë siguruar ato dhe personat që mund të kenë pasur akses apo rol në shpërndarjen e materialeve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.