E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kanë nisur pazaret dhe lobimet për kreun e ri të SPAK!
Flash

Kanë nisur pazaret dhe lobimet për kreun e ri të SPAK!

Gazetari investigativ Flamur Vezaj ka ngritur shqetësimin se procesi për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK po shoqërohet me lobingje intensive nga politika, bizneset dhe aktorë të tjerë me interesa.

Sipas tij, në garë po përfshihen grupe me ndikim që kërkojnë të orientojnë zgjedhjen brenda Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), përmes njohjeve, ndërhyrjeve dhe favorizimeve.

“Unë mendoj që personazhet më të merituar për këtë pozicion janë prokurorët Adnan Xholi dhe Doloresa Musabelliu”, – deklaroi Vezaj në një intervistë për A2 CNN.

Ai theksoi se pavarësisht mungesës së një qëndrimi zyrtar, ka sinjale të qarta se ka lëvizje të dukshme për të favorizuar emra të caktuar.

“Edhe pse nuk kam asgjë personale me prokurorët Klodian Braho apo Elvin Gogaj, është e rëndësishme të kujtojmë që z. Braho ka pasur problematika në vetting, ku DSI ka evidentuar udhëtime me persona me precedent penal”, – shtoi ai, duke nënvizuar se kjo mund të ndikojë në perceptimin publik për kandidaturën e tij.

Lobing nga politika, bizneset dhe vetë SPAK-u

Vezaj deklaroi se aktorë politikë nga të dy krahët, por edhe biznese të fuqishme, janë të përfshirë në proces, duke lobuar për kandidatë të ndryshëm.

“Për shkak të profilit të lartë që ka marrë drejtuesi i SPAK-ut, të gjithë mendojnë se ai është një figurë me pushtet të madh, që mund të ndikojë në jetë e karriera. Kjo ka nxitur lobingje nga të gjitha anët – nga politika, biznesi, madje edhe nga vetë Altin Dumani, i cili mendohet se po tenton të lërë pasardhësin e tij të besuar”, – theksoi gazetari.

Ndryshim në qëndrimin ndërkombëtar

Ndryshe nga procesi i mëparshëm kur ambasadorja amerikane Yuri Kim kishte rol të dukshëm, këtë herë nuk ka ndërhyrje nga diplomatët e huaj, sipas Vezajt.

“Ambasada amerikane këtë herë nuk ka një preferencë të shpallur dhe nuk ka ushtruar ndikim mbi KLP-në. Informacionet që kam tregojnë se thjesht kërkohet respektimi i procedurës ligjore, pa ndërhyrje politike apo diplomatike”, – deklaroi ai.

Sipas Vezajt, gjatë zgjedhjes së Dumanit, pati tensione dhe akuza për presione mbi anëtarët e KLP-së nga aktorë të politikës së majtë, gjë që aktualisht nuk është e pranishme në të njëjtën formë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.