Kanosi me thikë një 37-vjeçar, dorëzohet pas denoncimit nga Berisha. Policia: Nuk u vlerësua si ngjarje…
Sulmon me thikë në market bashkëqytetarin, dorëzohet në Polici autori 42-vjeçar nga Shijaku. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së martës në Shijak, ndërsa ishte ish-Kryeministri Sali Berisha, që e bëri i pari publike këtë ngjarje një ditë më pas.
Mësohet se 42-vjeçari ka sulmuar në ambientet e një marketi, një 37-vjeçar që ndodhej me familjen duke bërë paza.
Në faqen e tij “Facebook”, Berisha akuzoi Policinë për fshehje të ngjarjes, duke publikuar denoncimin e “qytetarit dixhital”, siç e quan ai.
“Një person hyri me thikë në dorë në një market në Shijak dhe qëlloi një person që shoqërohej nga familjarë dhe po bënin pazar. Këtë ngjarje e kanë fiksuar kamerat e marketit.
Por Policia e Shijakut po e mban të fshehtë këtë ngjarje. Policia po i thotë pronarit të marketit të fshijë pamjet e fiksuara nga kamerat. Kjo Polici do të fshehë këtë krim të rëndë, pasi personi mund të kishte përfunduar i vdekur nëse nuk do t’i ishte shmangur goditjes dhe nëse nuk do të kishin ndërhyrë personat që ndodheshin në market.
Policia erdhi shumë vonë në vendin e ngjarjes, po tenton ta fshehë si ngjarje ose personi i ka premtuar lekë”, shkruan Berisha, duke publikuar mesazhin e qytetarit që mendohet të ishte një prej dëshmitarëve të shumtë që u ndodh në vendin e ngjarjes.
Pak orë pas publikimit të Berishës, reagoi Policia e Durrësit, e cila iu përgjigj duke e përgënjeshtruar ish-Kryeministrin. “Më datë 05.03.2019, rreth orës 16:00, në Shijak, në ambientet e një marketi, për motive të dobëta, shtetasi E. M, 42 vjeç, ka kanosur me thikë shtetasin E.K dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Policia ka kryer të gjitha veprimet procedurale dhe materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Autori i kësaj ngjarje është vetëdorëzuar mesditën e sotme (dje) në komisariat. Ai akuzohet për veprën penale “Përndjekja”, “Kanosja”, sqaron Policia. Kjo është e disata ngjarje që Policia publikon ngjarjet vetëm pas reagimit të ish-Kryeministrit Sali Berishës. E pyetur përse nuk është bërë publike ngjarja, Policia thotë se nuk u vlerësua si ngjarje që mund të kishte interes nga ana e publikut.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



