Kaosi ‘e-albania’, amerikanët ‘shkundin’ qeverinë: Urgjent merrni masa
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) ka vlerësuar përparimin e bërë nga institucionet shqiptare në drejtim të digjitalizimit të administratës publike, duke e konsideruar zhvillimin e platformës e-Albania si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve dhe rritjes së efikasitetit për qytetarët dhe bizneset.
Sipas AmCham, investimet publike në transformimin digjital kanë kontribuar në përmirësimin e aksesit dhe transparencës në shërbimet shtetërore. Megjithatë, organizata thekson se menaxhimi i sistemeve digjitale që përpunojnë të dhëna sensitive kërkon standarde të larta sigurie, auditimi dhe mirëmbajtjeje të vazhdueshme në përputhje me praktikat ndërkombëtare.
Në deklaratën e saj, Dhoma Amerikane e Tregtisë paralajmëron se mungesa e kontrolleve të rregullta teknike dhe përditësimeve të nevojshme mund të krijojë rreziqe për stabilitetin ekonomik, funksionimin e bizneseve dhe sigurinë kombëtare, duke pasur parasysh varësinë e lartë nga sistemet digjitale qeveritare.
AmCham shpreh shqetësim edhe për reagimet e anëtarëve të saj pas zhvillimeve të fundit që lidhen me infrastrukturën digjitale shtetërore. Sipas raportimeve të marra, disa shërbime në platformën e-Albania paraqesin paqëndrueshmëri në funksionim, duke mos arritur të përmbushin nevojat operative të bizneseve dhe qytetarëve.
Ndër problematikat e raportuara përfshihen ndërprerje të shpeshta të shërbimeve, vonesa në akses, vështirësi gjatë orareve me ngarkesë të lartë dhe performancë e paqëndrueshme e sistemit. Këto situata, sipas Dhomës, ndikojnë drejtpërdrejt në vijueshmërinë e aktivitetit të përditshëm të bizneseve.
Organizata nënvizon se ndërprerje të tilla pengojnë kompanitë të përmbushin detyrimet rregullatore, të ofrojnë shërbime për klientët dhe të zhvillojnë normalisht operacionet e tyre. Ky shqetësim është veçanërisht i rëndësishëm për AmCham, pasi ajo përfaqëson një numër të madh kompanish që operojnë në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) dhe fusha të ndërlidhura.
Shumë nga këto kompani, sipas deklaratës, janë të certifikuara sipas standardeve ndërkombëtare të sigurisë dhe cilësisë, ndërsa disa prej tyre ofrojnë shërbime edhe për institucione të qeverisë amerikane. Pavarësisht kësaj eksperience, anëtarët e AmCham kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme edhe për procedurat e prokurimit publik në sektorin TIK, të cilat sipas tyre mund të cenojnë konkurrencën e ndershme dhe përdorimin efikas të fondeve publike.
AmCham thekson se menaxhimi i të dhënave sensitive që përfshijnë informacione për institucionet shtetërore, bizneset dhe qytetarët kërkon standarde të forta sigurie dhe transparence. Në ekonomitë e zhvilluara, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, kompanitë që përfshihen në sistemet digjitale qeveritare i nënshtrohen verifikimeve të rrepta sigurie, kontrollit financiar dhe kërkesave të qarta për transparencë.
Në këtë kuadër, Dhoma Amerikane e Tregtisë i bën thirrje qeverisë shqiptare të ndërmarrë masa të menjëhershme për të garantuar funksionimin e qëndrueshëm dhe të pandërprerë të platformës e-Albania, me fokus të veçantë në shërbimet kritike për bizneset.
Për zgjidhje afatshkurtra, AmCham propozon vendosjen e auditimeve të detyrueshme dhe të pavarura për sigurinë kibernetike dhe sistemet IT të platformave qeveritare, në përputhje me standardet ndërkombëtare si ISO/IEC 27001, ISO/IEC 22301, NIST dhe praktikat e Bashkimit Evropian.
Gjithashtu, sugjerohet forcimi i mekanizmave për autorizim sigurie, kontroll aksesi dhe verifikim në sistemet qeveritare, përcaktimi i standardeve minimale për funksionimin dhe rikuperimin e sistemeve kritike, si dhe përmirësimi i procedurave të prokurimit publik në sektorin TIK përmes vlerësimit më të qartë të kritereve teknike dhe të sigurisë.
AmCham kërkon edhe krijimin e mekanizmave të strukturuar për njoftimin e bizneseve dhe qytetarëve në rast ndërprerjesh apo mirëmbajtjesh të planifikuara të sistemeve, si dhe hartimin e një kuadri të sigurt për integrimin e sistemeve të sektorit privat me platformat e qeverisjes digjitale, në përputhje me standardet europiane dhe ndërkombëtare të mbrojtjes së të dhënave.
Në përfundim, Dhoma Amerikane e Tregtisë shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet shqiptare, duke ofruar ekspertizë dhe praktika ndërkombëtare për të forcuar qeverisjen digjitale, për të mbrojtur të dhënat sensitive dhe për të rritur sigurinë ekonomike dhe kombëtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



