Kapet një peshk gof gjigant në Vloré
peshkatari fitoi pas 30 minutash përballje në det
Një peshkim i rrallë është regjistruar paraditen e së mërkurës në ujërat e Vlorës, ku një peshk gof me peshë rreth 27 kilogramë është kapur nga peshkatari me shtizë Armando File, pas një përballjeje që zgjati mbi 30 minuta.
Ngjarja ndodhi në zonën e njohur si “Spitaliera”, pranë Radhimës, në afërsi të anijes së mbytur italiane. Sipas peshkatarit, gjatë zhytjes ai u ndesh me një tufë të madhe gofësh dhe arriti të godiste njërin prej tyre me shtizë, duke e kapur në pjesën e kokës.
Megjithatë, momenti më i vështirë nisi pas goditjes. Për shkak të përmasave dhe forcës së peshkut, 50-vjeçari zhvilloi një “luftë” që zgjati më shumë se 30 minuta për ta mbajtur nën kontroll dhe për ta nxjerrë në sipërfaqe.
Pas përfundimit të operacionit, peshku gjigant u transportua në qendrën e peshkimit në Radhimë, ku tërhoqi vëmendjen e pushuesve dhe peshkatarëve të pranishëm, të impresionuar nga përmasat e tij.
Kapja e një gofi me peshë rreth 27 kilogramë konsiderohet një rast i rrallë për ujërat shqiptare dhe dëshmon potencialin që ofron bregdeti i Vlorës për peshkimin sportiv dhe atë tradicional.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



