Kapet telefoni i Leart Haxhiut në burg!
SHKB: 60 telefona të sekuestruar në vetëm 3 muaj
Flamur Vezaj
Fushata e kontrolleve në burgjet shqiptare po vijon me intensitet, ndërsa burime pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm SHKB bëjnë me dije se gjatë një kontrolli në Burgun e Korçës është gjetur dhe sekuestruar një telefon celular që dyshohet se përdorej nga Leart
Haxhiu, i akuzuar nga SPAK si kreu i një organizate kriminale të përfshirë në disa vrasje në Lushnjë dhe zona të tjera të vendit.
Sipas burimeve zyrtare, telefoni është referuar në Prokurorinë e Posaçme SPAK, ndërsa është proceduar edhe akuza për posedim të sendeve të ndaluara brenda institucionit të vuajtjes së dënimit. Bashkë me telefonin që dyshohet se përdorej nga Haxhiu, gjatë kontrollit janë sekuestruar edhe dy aparate të tjera celularë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk pranoi të komentojë rastin. Por shifrat e siguruara nga SHKB tregojnë një problem shumë më të madh.
Vetëm gjatë tre muajve të fundit janë zhvilluar rreth 1,250 kontrolle në të gjithë sistemin penitenciar shqiptar. Si rezultat janë sekuestruar 60 telefona celularë, ndërsa përdoruesit e identifikuar janë referuar për ndjekje penale. Një pjesë e telefonave nuk kanë pronar të identifikuar, pasi janë gjetur në ambiente të përbashkëta ku, sipas burimeve, të burgosurit i hedhin për të shmangur përgjegjësinë. Ajo që bie në sy, thonë burimet, është fakti se 10 telefona i janë kapur familjarëve duke tentuar të fusin brenda, çka tregon se situata e policisë ka ndryshuar por sa do të zgjas kjo gjendje, mbetet për tu parë e të shohim sa kohë do të duhet të gjendet “sekseri” i radhës te Drejtori!
Burime të SHKB-së bëjnë me dije se krahas telefonave janë sekuestruar edhe rreth 220 sende të ndaluara, përfshirë thika, mjete prerëse, lëndë narkotike, cigare hashashi dhe objekte të tjera që nuk lejohen në burgje. Për këto raste janë nisur procedime disiplinore dhe penale, ndërsa raportohet se janë marrë rreth 40 masa disiplinore ndaj personave të përfshirë.
Ndërkohë, burime jozyrtare pranë sistemit penitenciar bëjnë të ditur se vetëm gjatë fundjavës në Burgun e Durrësit janë gjetur dhe sekuestruar 10 telefona celularë të fshehur në një puset në oborrin e institucionit. Sipas të njëjtave burime, telefonat ishin dëmtuar qëllimisht për të penguar identifikimin e përdoruesve.
Nga ana tjetër, gazetari Artan Hoxha publikoi së fundmi pamje nga qelia e Leonard Dukës, e cila sipas tij ishte shndërruar në kushte luksi të ngjashme me një hotel. Burime pranë burgjeve pretendojnë se këto ndërhyrje ishin lejuar nga ish-zyrtarë të sistemit penitenciar, ndërsa ende nuk kemi foto apo video që kjo administra ka ndërhyrë për rikthimin e ambienteve në gjendjen e mëparshme!
Megjithatë, pyetja mbetet e njëjtë: si futen dhjetëra telefona, drogë dhe sende të ndaluara në burgje, në një sistem që teorikisht duhet të jetë nën kontroll të plotë? Shifrat e tre muajve të fundit tregojnë se problemi nuk është më sporadik, por duket se është kthyer në një fenomen të përhapur që vazhdon të sfidojë sigurinë dhe autoritetin e institucioneve të vuajtjes së dënimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



