E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kapri thirrje Koçiut: Merruni me të fortët, jo me të dobëtit
Lajme

Kapri thirrje Koçiut: Merruni me të fortët, jo me të dobëtit

Ministrja ‘krenohet’ me monopatinat

Deputeti Erald Kapri hodhi sot akuza të forta ndaj Ministres së Brendshme, Albana Koçiu, për papërgjegjshmëri në trajtimin e disa çështjeve alarmante për qytetarët.

Në fjalën e tij në seancën dëgjimore me Koçiun, Kapri tha se nuk po i jepet një zgjidhje problemit me monopatinat dhe dhunës në shkolla, çështje për të cilat edhe prindërit ngrejnë shqetësim.

“Në lidhje me monopatinat, kur thuhej se nuk ka bazë ligjore, por raportime për aksidente. Por është shkelur një ligj kushtetues. Konfiskohen pa ligj, sekuestrohen dhe vendosen pa kushte dhe thuhet se pritet të bëhet ligj për vendosjen e tyre. Keni shumë hapësira për të vepruar mbi ligjin. Ndaloni makinat e stilit mafioz. Nuk merreni me të fortët, por me të dobëtit. Një shtresë e shoqërisë që punon nga mëngjesi deri në darkë për t’ia dalë. Ka shqetësim për monopatinat, por Europa nuk i ndalon. Trajtohen si përdorues biçikletash. Po ashtu janë raportuar edhe raste dhune në shkolla. Nuk po them se është përgjegjësia juaj. Por është situatë alarmante dhe prindërit po kërkojnë zgjidhje. Kemi pasur edhe vrasje në shkolla, por alarmi i prindërve po shkon në vesh të shurdhët. Pa llogaritur gjërat e tjera të paligjshme që ndodhin,” tha Kapri.

Nga ana tjetër, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, u përgjigj se Shqipëria është një vend i sigurt, duke u bazuar në raportet ndërkombëtare dhe statistikat e brendshme. Ajo theksoi arritjet në sigurinë publike dhe progresin e bërë për vitin e kaluar dhe këtë vit:

“Vendi ynë ka mirëpritur 12 milionë turistë dhe qytetarë të huaj që hapin biznese ose blejnë prona. Shqipëria ka dalë nga të gjitha listat e zeza dhe siguria është rritur ndjeshëm. Për vitin e kaluar janë arritur nivele të larta të zbulueshmërisë së krimeve, mbi 94%, ndërsa 20,19% e tyre janë zbardhur plotësisht. Ka një rënie të vrasjeve me dashje, nga mesatarisht dy vrasje në javë në vitin e kaluar, në një vrasje çdo dy javë këtë vit. Në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 29 vrasje me dashje, krahasuar me 41 të njëjtën periudhë një vit më parë. Shpërbërja e grupeve kriminale ka qenë një faktor kyç në këtë ulje.”

Koçiu pohoi gjithashtu se Ministria e Brendshme ka zhvilluar 1,121 hetime për krime financiare dhe trafik narkotikësh, dhe SPAK ka sekuestruar pasuri me vlerë 65.5 milionë euro për projekte sociale. Ajo shtoi se aksidentet rrugore kanë rënë me 17% krahasuar me një vit më parë, me 155 viktima në vitin 2024 dhe një rënie të ndjeshme këtë vit, dhe nënvizoi rëndësinë e respektimit të rregullave për monopatinat elektrike, duke evidentuar mbi 1 mijë aksidente të regjistruara gjatë nëntëmujorit.

Ministrja përmendi edhe bashkëpunimin ndërkombëtar: “Janë zhvilluar 479 operacione, dyfishi i vitit 2024, prej të cilave 97 me partnerë ndërkombëtarë. Janë ngritur 22 skuadra hetimore për krimin ekonomik, kibernetik dhe narkotikët, dhe numri i personave të kapur është rritur ndjeshëm. Shpërbërja e grupeve kriminale, kontrollet e rrepta dhe bashkëpunimi ndërkombëtar kanë ulur ndjeshëm veprat e rënda penale, duke përfshirë vrasjet me dashje, që janë në nivele më të ulëta se kurrë.”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.