Eksperti zbulon se si ndihma nga Kamza shmangu një tragjedi të mundshme
Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka reaguar ashpër lidhur me mënyrën se si u menaxhua situata e zjarrit në pallatin në Tirana, duke ngritur shqetësime serioze për mungesën e kapaciteteve logjistike.
Ai theksoi se shërbimi zjarrfikës i bashkisë nuk disponon mjete të përshtatshme për ndërhyrje në ndërtesa të larta, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve.
Sipas tij, kapacitetet aktuale janë të pamjaftueshme për një qytet që dominohet nga pallate shumëkatëshe, ndërsa për situatën e sotme është kërkuar ndihmë nga Kamza, e cila disponon mjete më të avancuara.
“Ka ndodhur e njëjta gjë që ndodhi në Astir, e njëjta veshje dhe i njëjti tipologji pallati që rrezikoi jetën e banorëve. Këtu problemi nuk është çfarë e ka shkaktuar, shkëndijë elektrike është zakonisht. Problemi është si menaxhohen këto situata, këto situata janë për turp. Kanë qeshur ekspertët kur kanë parë në qiejt e Tiranës një helikopter me një kovë ujë që do shuante paretet anësore të një pallati. Zjarrfikëset kanë shkallë deri në 5 kate, dhe çdo gjë tjetër mbi pesë kate digjet, bëhet shkrumb.
Dhe telefonata e parë ka qenë me bashkinë e Kamzës që jep pallate deri në 9 kate dhe ka shkallë deri në 9 kate, dhe i thanë hajde se po më digjen fëmijët brenda. Bashkia Kamëz ka dërguar edhe shkallët 9-katëshe dhe ujin nga Liqeni i Paskuqanit. Ja kështu menaxhohet situata në Tiranë. Bashkia e Tiranës të shkojë të blejë dronë që janë 35 mijë euro, 40 mijë euro dronët kinezë që i ka gjithë Evropa, që ngjiten deri në 60 kate dhe çojnë tubacionin me ujë që shuajnë flakët, se ndryshe do të digjej populli brenda”, tha Karamuço në emisionin Now në Euronews Albania.







