Katër kandidatë shqiptar në zgjedhjet amerikane, vetëm njëri drejt fitores
Kush janë dhe si përfunduan garat e tyre?
Katër kandidatë me rrënjë shqiptare u përfshinë në garën elektorale të zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke synuar të siguronin përfaqësim në nivele të ndryshme të politikës amerikane. Por, pavarësisht pjesëmarrjes në këtë proces zgjedhor, rezultatet paraprake nuk kanë qenë të njëjta për të gjithë.
Nga katër emrat që garuan, vetëm republikani Joe Hoxha rezultonte në avantazh deri në orët e mëngjesit të 4 nëntorit, duke iu afruar sigurimit të një mandati të ri në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit të Connecticut. Sipas rezultateve jozyrtare të raportuara nga mediat në Shkup, Hoxha kryesonte në distriktin 78 me një diferencë prej rreth 1.8 pikësh përqindjeje.
Të dhënat e Decision Desk HQ tregonin se ishin numëruar më shumë se 95% e votave, megjithatë rezultati nuk ishte shpallur ende zyrtarisht. Hoxha ushtron aktualisht funksionin e përfaqësuesit republikan në këtë institucion dhe synonte të siguronte vijimin e karrierës së tij politike.
Një tjetër kandidat shqiptar, republikani Diamant Hysenaj, nuk arriti të bëhej pjesë e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan. Ai garoi në distriktin 14 të New York-ut, ku u përball me demokratën Alexandria Ocasio-Cortez, e cila dominoi bindshëm rezultatin.
Ocasio-Cortez siguroi rreth 78% të votave, ndërsa Hysenaj mori afërsisht 21.5%, duke mos arritur të ngushtonte ndjeshëm diferencën me kundërshtaren e tij.
Edhe kandidatura e Shpëtim Qorraj në New York përfundoi pa sukses. Demokrati synonte një vend në Asamblenë e shtetit, por u përball me republikanin Michael Tannousis, i cili arriti të fitojë garën me rreth 60% të votave.
Ndërkohë, në Connecticut, republikani Peter Lumaj nuk arriti të siguronte postin e sekretarit të shtetit. Sipas rezultateve të publikuara nga Decision Desk HQ, fitorja i shkoi demokratës Stephanie Thomas, e cila mbante edhe aktualisht këtë funksion. Thomas kryesoi me një diferencë prej rreth 24 pikësh përqindjeje, ndërsa në këtë garë ishin numëruar më shumë se 80% e votave.
Kështu, bilanci paraprak për katër kandidatët me origjinë shqiptare ishte një garë në avantazh dhe tri humbje. Joe Hoxha mbeti i vetmi që, sipas shifrave të deriatëhershme, kishte perspektivën më të mirë për të siguruar fitoren.
Zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit u zhvilluan në një moment me rëndësi të veçantë për politikën amerikane, pasi rezultatet sollën ndryshime në balancat e pushtetit në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, me demokratët që rimorën kontrollin e të dyja dhomave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



