‘Ke plumbin në kokë’, si u kërcënua Gerond Meçe për ankimimet
Në dosjen hetimore të AKSHI-t, emrat e Ergys Agasit dhe biznesmenit Ermal Beqiri, aktualisht në kërkim nga SPAK, dalin të implikuar në një nga ngjarjet më të rënda të viteve të fundit: pengmarrjen e biznesmenit Gerond Meçe. Ngjarja, sipas hetimeve, lidhet drejtpërdrejt me përpjekjet për ta detyruar atë të tërhiqej nga procedurat e ankimimit pranë Komisionit të Prokurimeve Publike, për tendera të zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Emisioni investigativ “Në Shënjestër” ka zbardhur me detaje tronditëse dëshminë e dhënë nga vetë biznesmeni përpara hetuesve, duke hedhur dritë mbi mënyrën se si pengmarrësit ushtruan presion, kërcënime dhe dhunë psikologjike për ta thyer dhe për ta detyruar të bashkëpunonte.
Sipas Meçes, momenti kur situata mori një kthesë të rrezikshme ishte ai kur personat që e mbanin peng arritën të merrnin kontrollin e telefonit të tij. Pikërisht aty nisën kërcënimet e drejtpërdrejta për jetën.
“Gjatë kohës që arritën të marrin password-in e telefonit, personi që ndodhej në vendin e parë të pasagjerit më tha: ‘Po të kërkojmë të bashkëpunosh, jo si me password-in, se në të kundërt ke plumbin në kokë’”, ka deklaruar Meçe.
Ky ishte momenti kur, sipas dëshmisë së tij, tre nga pengmarrësit – përjashtuar shoferin – demonstruan armët e shkurtra që mbanin në brez. Njëri prej tyre nxori pistoletën dhe nisi të luante me karikatorin, duke e futur dhe nxjerrë disa herë, ndërsa tjetri e mbante armën në dorë, duke e kërcënuar hapur: “Do bashkëpunosh apo si e ke?”
Deri në këtë fazë, kërkesat e pengmarrësve kishin qenë të paqarta. Por nën presionin e armëve dhe kërcënimeve për jetë, vetë Meçe filloi të kuptojë se çfarë fshihej pas kësaj pengmarrjeje dhe çfarë kërkohej realisht prej tij.
Në dëshminë e tij, biznesmeni ka dhënë edhe një panoramë të plotë të aktivitetit profesional dhe historikut të kompanisë familjare, për të sqaruar arsyet që, sipas tij, e kishin bërë objekt presioni.
“Unë quhem Gerond Meçe dhe profesioni im është inxhinier elektronik. Aktualisht punoj në një biznes privat. Që nga viti 2002, mamaja ime ka hapur një kompani private, të cilës iu bashkova në korrik të vitit 2003. Nga viti 2006 e në vazhdim jam ortak i vetëm dhe administrator i kompanisë ‘Advanced Business Solutions – ABS’”, ka deklaruar ai.
Në vitin 2020, për arsye shëndetësore, Meçe u tërhoq nga administrimi aktiv i kompanisë, duke caktuar dy administratorë të tjerë. Ndërsa në shkurt të vitit 2025, aksionet e kompanisë i kaloi formalisht te nëna e tij, me qëllim shmangien e pengesave në procedurat e prokurimit.
Kompania ABS operon në fushën e teknologjisë së informacionit dhe bashkëpunon si me sektorin privat ashtu edhe me institucionet shtetërore. Që prej vitit 2016, me pak përjashtime, ajo ka qenë pjesëmarrëse pothuajse në çdo tender të zhvilluar nga AKSHI.
Por, sipas Meçes, pavarësisht pjesëmarrjes së rregullt, kompania e tij skualifikohej vazhdimisht, çka ngriti dyshime serioze mbi mënyrën se si zhvilloheshin procedurat dhe mbi favorizimin e kompanive të tjera në kundërshtim me ligjin. Për këtë arsye, ai kishte depozituar dhjetëra ankesa pranë institucioneve përkatëse.
Një veprim që, sipas hetimeve, nuk u ka pëlqyer aspak kundërshtarëve të tij në biznes, të cilët, të informuar ndoshta edhe nga brenda AKSHI-t, vendosën ta detyronin me dhunë të hiqte dorë.
Plani u vu në zbatim mëngjesin e 12 gushtit 2025.
Atë ditë, rreth orës 10:30, Meçe doli nga banesa me çantën e punës dhe sendet personale. Por sapo kishte lënë oborrin e pallatit, u ndalua nga persona të veshur me uniforma policie dhe jelekë me mbishkrimin BKH. Ata e hipën me forcë në automjetin e tyre, i vendosën prangat dhe nuk i lejuan asnjë kontakt me familjen.
Itinerari i makinës u drejtua fillimisht nga Elbasani dhe më pas nga rruga e vjetër në drejtim të Krrabës. Rreth orës 11:20, automjeti ndaloi në një zonë të thellë, pranë fshatit Gracen, në një shesh të izoluar pranë një godine të braktisur.
Aty, pengmarrësit i kërkuan të jepte password-in e telefonit. Fillimisht ai refuzoi, por u godit me shpullë nga shoferi. Telefonin ia hapën me gjurmën e gishtit, ndërsa duart i kishte të lidhura, dhe më pas e kaluan pajisjen në “airplane mode”.
Meçe shpjegon se nuk pranoi menjëherë të bashkëpunonte sepse shpresonte ende se dikush po e kërkonte, pasi telefoni i binte vazhdimisht gjatë rrugës.
Pas kërcënimeve me armë, pengmarrësit nxorën edhe arsyen e vërtetë të rrëmbimit. Njëri prej tyre i dorëzoi një zarf të bardhë, brenda të cilit ndodhej një tabelë Excel me listën e tenderave që kompania ABS kishte ankimuar kundër AKSHI-t, si dhe statusin e tyre në KPP dhe Gjykatën Administrative.
“A janë këta tenderat e tu? Duhet të tërhiqesh”, i thanë ata.
Në atë moment, për Meçen u bë e qartë se rrëmbimi ishte i organizuar dhe i dirigjuar për ta detyruar të hiqte dorë nga procedurat ligjore. Ai tentoi t’i bindte se nuk ishte më administrator dhe se çdo tërheqje kërkonte kohë, duke u premtuar se do ta trajtonte çështjen në ditët në vijim nëse do ta lironin.
Por presioni nuk u ndal aty. Personi që më herët mbante veshur jelekun e BKH-së i kërkoi gjithashtu të tërhiqej edhe nga padia në Gjykatën Administrative, duke e paralajmëruar se, nëse fliste, ata do të ishin “hija e tij” kudo që të shkonte.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



