Këlliçi-ndërkombëtarëve : Ndihmoni SPAK-un nga urdhërat që i jep Erion Veliaj

Belind Këlliçi, anëtar i Kryesisë së PD-së, përmes një deklarate ka kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë që të shqetësoheshin e të flisnin një herë të vetme për aferat korruptive të shekullit, të kryera nga Erion Veliaj dhe grupi i tij i strukturuar kriminal 5D.

Në këtë kuadër, Këlliçi përmendi vjedhjen e 130 milionë eurove në inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston, vjedhjen e 60 milionë eurove përmes depozitimit të dherave në landfillin e Sharrës dhe vjedhjen e të paktën 30 milionë eurove, përmes 45 tenderave të kryera nga shtabi i tij elektoral i 14 Majit 2023.

Sipas tij, pohimet e Erion Veliajt, kapos së bandës ‘5D’ se është rakorduar me prokurorët e SPAK, dhe pohimi nëpërmjet heshtjes që po i bën Altin Dumani deklaratave të Veliajt, është një këmbanë alarmi për çdo qytetar shqiptar dhe partnerët ndërkombëtarë.

Në këtë kuadër, Këlliçi tha se do të ishte mirë që ndërkombëtarët të shqetësohen për guximin që gjen Kryetari i Bashkisë Tiranë, për të urdhëruar publikisht Altin Dumanin dhe SPAK-un, për mënyrën sesi duhet të veprojnë ndaj tij.

Në përfundim të deklaratës, Këlliçi ftoi qytetarët e Tiranës, ditën e martë, më datë 30 Prill, ora 16:30, përpara monumentit të korrupsionit më të madh në Evropë, për ta çliruar Tiranën një hërë e mirë nga ky model vjedhjeje tashmë të kthyer në sistem.

Publikuar nga Publik Media