Kërcënohet gazetari Osman Stafa: Më prenë rrugën pas investigimit në Librazhd
Gazetari Osman Stafa ka kallëzuar në Policinë e Elbasanit një rast kërcënimi që, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me detyrën dhe investigimin që po kryente në zonën e Librazhdit.
Sipas deklarimit të tij, ai kishte shkuar në Hotolisht për të verifikuar dhe dokumentuar me pamje filmike denoncimet e qytetarëve mbi marrjen e inerteve nga lumi Shkumbin.
Pas përfundimit të xhirimeve, gazetari pretendon se është ndjekur nga një automjet tip fuoristradë, i cili i ka prerë disa herë rrugën përgjatë aksit Librazhd–Elbasan.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Stafa shprehet se drejtuesi i mjetit i ka bërë shenjë të ndalonte dhe më pas i është afruar në mënyrë të rrezikshme, duke i bllokuar lëvizjen.
Ai tregon se nuk ka ndaluar dhe ka tentuar të shmangë përplasjen, ndërsa e cilëson ngjarjen si një akt kërcënues dhe të paprecedentë ndaj tij për shkak të profesionit.
Pas incidentit, gazetari është paraqitur në Komisariatin e Policisë së Elbasanit, ku ka bërë kallëzimin zyrtar për rastin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



