Këto skena do shohim nëse i lihet PD-ja në dorë Gaz Bardhit
Analisti Martin Leka ka reaguar ashpër ndaj skenave të sotme në Kuvend, ku deputetët e opozitës i kthyen shpinën kryeministrit Edi Rama teksa ai mbante fjalën për buxhetin. Leka e cilësoi këtë veprim si “qesharak, të pavend dhe të neveritshëm”, duke theksuar se opozita po humb çdo shans për të bërë betejë reale politike.
“Kjo tregon në çfarë gjendje është politika shqiptare. Në parlament diskutohej buxheti, një nga çështjet më të rëndësishme, dhe opozita duhej të bënte opozitën e buxhetit. Në vend të kësaj, prodhuan materiale për meme dhe kocka debati për militantët,” tha Leka.
Ai shtoi se skena të tilla nuk kanë lidhje me ide, programe apo aksion serioz politik, por vetëm me folklor partiak.
Duke komentuar reagimin ironik të kryeministrit, Leka tha:
“Kanë gjetur njeriun e gabuar, zotin Rama. Do e prish etikën… Rama, e përkthyer në shqip, u tha atyre se e kanë më të mirë b*thën se fytyrën.”
Analisti tha se situata në opozitë është e rrezikshme dhe se, sipas tij, nëse Sali Berisha e lë PD-në në dorën e Gazment Bardhit, “të tilla skena do të shihen edhe më shpesh”.
Deklarata e Lekës ka sjellë reagime në rrjet, ku shumë përdorues ndajnë të njëjtin mendim se opozita po i hedh poshtë mundësitë për t’u përballur seriozisht me qeverinë në çështje substanciale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



