Klodian Braho zbulon se çfarë po e pengon arrestimin e Ballukut
Në Komisionin e Ligjeve është diskutuar edhe çështja që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, një temë që vijon të tërheqë vëmendje të lartë politike dhe institucionale. Gjatë raportimit, kreu i SPAK, Klodian Braho, është pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë për ecurinë dhe qëndrimin e institucionit që ai drejton.
Braho theksoi se ekzistenca e një çështjeje lidhet drejtpërdrejt me shkeljet e mundshme të ligjit, duke nënvizuar se pa këto elemente nuk do të kishte arsye për hetim. Ai gjithashtu la të kuptohet se procesi hetimor është zhvilluar në përputhje me procedurat, edhe pas refuzimit të kërkesave të mëparshme.
“Një çështje që Parlamenti është përfshirë. Nuk do kishte çështje nëse nuk do kishte shkelje të ligjeve. Qëndrimin e prokurorisë e keni të qartë, por kështu keni të qartë edhe mënyrën se si prokuroria ka vazhduar hetimet pas mospranimit të kërkesës. Faktet tregojnë që prokuroria ka bërë punën, të dyja së bashku këto elementë, Sot nuk mund të para-shpall një vendimmarrje çështjesh në hetim, por garantoj që do jetë një vendimmarrja e bazuar në ligj në prova që siguron hetimi”, tha ai.
Në vijim, drejtuesi i SPAK u ndal edhe te çështja e imunitetit parlamentar, duke iu referuar konkretisht rastit të Ballukut. Ai sqaroi kufijtë që vendos kuadri kushtetues mbi veprimtarinë e prokurorisë, duke theksuar se imuniteti nuk ndalon hetimin, por vetëm aplikimin e masave të sigurimit.
“Çështja konkrete, qëndrimi i SPAK është publik. Sa i përket situatë kushtuese, imuniteti ndalon vendosjen e masave të sigurimit por nuk ndalon prokurorinë të zhvillojë hetime të plota dhe të pavarura. Mungesa e një mase e vështirëson jë hetim edhe e dëmton por nuk miratojmë ligje dhe jemi të detyruar t’i bindemi këtij kuadri ligjor. Të ishim ne pala që miratonte ndryshime ligjore, personalisht unë mendoj se s’duhet të kishte imunitet fare”, u shpreh më tej Braho.
Deklaratat e tij nxjerrin në pah tensionin mes kufizimeve ligjore dhe nevojës për hetime të plota, duke rikthyer në fokus debatin mbi imunitetin parlamentar dhe ndikimin e tij në drejtësinë penale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



