KLSH fundos administrimin e Flamur Golemit në Gjirokastër
3 355 prona pa regjistrim, tendera problematikë dhe miliona lekë të humbura
Një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka evidentuar një sërë problematikash në administrimin e Bashkisë Gjirokastër, të drejtuar nga Flamur Golemi. Nga mijëra prona publike që rezultojnë pa regjistrim në Kadastër, te procedurat e prokurimit me kritere të pajustifikuara, punimet e faturuara por të parealizuara dhe detyrimet e pambledhura, gjetjet prekin disa prej sektorëve kryesorë të administratës vendore.
Në raportin përfundimtar të auditimit për vitin 2025, KLSH ka evidentuar 37 gjetje dhe ka lënë 40 rekomandime për përmirësimin e situatës. Konstatimet ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si janë administruar pronat publike, fondet e investimeve dhe të ardhurat e bashkisë.
3 355 prona pa regjistrim në Kadastër
Një nga problematikat më të rëndësishme lidhet me administrimin e pasurive të paluajtshme. Sipas raportit, në inventarin e Bashkisë Gjirokastër dhe njësive administrative figurojnë 3 355 prona, por tabela e auditimit nuk evidenton asnjë prej tyre të regjistruar në Kadastër.
KLSH konstaton se bashkia nuk ka krijuar një regjistër të integruar të pasurive dhe nuk disponon të dhëna të plota për gjendjen e tyre në terren. Për rrjedhojë, administrata nuk ka informacion të saktë se sa prona janë të zëna, sa përdoren dhe sa prej tyre nuk ekzistojnë më fizikisht.
Për administrimin e kësaj pasurie nuk është ngritur as një strukturë e posaçme, ndërsa proceset e inventarizimit dhe regjistrimit mbulohen nga vetëm një specialist.
Probleme janë konstatuar edhe në fondin pyjor dhe kullosor. Sipas auditimit, dy subjekte minerare që ushtrojnë aktivitet në Lazarat dhe katër shoqëri të prodhimit të energjisë nuk shoqërohen me dokumentacion të plotë për përdorimin e sipërfaqeve përkatëse.
Në rastin e subjekteve minerare, KLSH evidenton se detyrimet për aktivitetin e ushtruar nuk arkëtoheshin, pasi këto subjekte nuk ishin identifikuar nga strukturat përkatëse të bashkisë. Për këto problematika, raporti ngarkon me përgjegjësi administrative edhe kryetarin Flamur Golemi, krahas drejtuesve të sektorëve përgjegjës.
Tenderat, kritere të pajustifikuara dhe dyshime për konflikt interesi
Vërejtje të shumta janë evidentuar edhe në procedurat e prokurimit publik. Nga nëntë procedura të audituara, në katër prej tyre KLSH ka konstatuar kritere kualifikimi të paqarta, të pambështetura në argumentim teknik ose të ekzagjeruara në raport me objektin e kontratës.
Problemet janë shfaqur edhe në respektimin e afateve ligjore. Në shtatë nga nëntë procedurat e kontrolluara, afatet për vlerësimin e ofertave nuk janë zbatuar sipas parashikimeve.
Ndërkohë, në gjashtë procedura prokurimi dhe pesë blerje me vlerë të vogël janë konstatuar deklarata të paplotësuara për konfliktin e interesit nga anëtarët e komisioneve përkatëse.
Auditimi ka evidentuar gjithashtu se në pesë procedura, mes tyre blerja e automjetit zjarrfikës dhe furnizimi me materiale elektrike, pastrimi e ndërtimi, janë përdorur oferta tregu pa u administruar dokumentacioni përkatës dhe pa u identifikuar kompanitë që i kishin paraqitur.
Punime të paguara, por jo të realizuara
Një tjetër konstatim lidhet me katër kontrata investimesh publike, ku në situacionet e punimeve janë përfshirë volume që, sipas verifikimeve të audituesve, nuk rezultojnë të realizuara.
Dëmi ekonomik i përllogaritur nga KLSH arrin në 1.2 milionë lekë pa TVSH. Rastet lidhen me punimet në hapësirat përreth Pallatit të Sportit, shkollën “Muhamet Gjollesha” në Lazarat, rrugën Taroninë–Zhulat dhe rehabilitimin e disa segmenteve rrugore.
Mbi 80 milionë lekë detyrime të pambledhura
Paralelisht me problematikat në menaxhimin e fondeve, bashkia rezulton me detyrime të konsiderueshme të papaguara nga bizneset dhe qytetarët.
Në fund të vitit 2025, sipas raportit, 834 biznese kishin krijuar detyrime prej 57.07 milionë lekësh për taksa dhe tarifa vendore.
Një tjetër shumë prej 18.38 milionë lekësh rezulton e papaguar nga taksa e tokës bujqësore për 3 446 abonentë. Ndërsa 5.53 milionë lekë detyrime lidhen me taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e legalizuara.
Në sektorin e karburanteve janë evidentuar edhe 2.05 milionë lekë detyrime të papaguara për licencat e tregtimit.
Vetëm 59.5% e investimeve të planifikuara u realizuan
Pavarësisht nevojave për investime dhe përmirësimin e shërbimeve publike, Bashkia Gjirokastër nuk ka arritur të realizojë pjesën më të madhe të planit të investimeve për vitin 2025.
Nga 305.5 milionë lekë të planifikuara, janë realizuar vetëm 181.9 milionë lekë. Diferenca prej 123.6 milionë lekësh, ose 40.5% e planit, ka mbetur e parealizuar.
Raporti evidenton gjithashtu se në fund të vitit kanë mbetur të papërdorura 278.23 milionë lekë nga transfertat e pakushtëzuara dhe specifike.
Një tjetër shqetësim lidhet me zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të KLSH-së. Nga 14 masa organizative të pranuara nga bashkia, vetëm tri rezultonin të zbatuara plotësisht. Ndërsa të pesë masat që lidhen me shpërblimin e dëmeve ekonomike rezultonin të pazbatuara.
KLSH ka kërkuar sërish arkëtimin e më shumë se 20 milionë lekëve dëme të evidentuara në auditime të mëparshme, të lidhura me projektin e Ujësjellësit të Lazaratit dhe ndërhyrjet për stabilizimin e rrëshqitjes në Kodrën e Çafkës.
Në tërësi, raporti evidenton mangësi në administrimin e pronave, prokurimet publike, mbledhjen e të ardhurave dhe realizimin e investimeve. Për drejtuesin e bashkisë, Flamur Golemi, gjetjet shtrojnë çështjen e përgjegjësisë administrative dhe të masave konkrete për korrigjimin e problematikave, veçanërisht atyre që janë përsëritur ndër vite.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



