Koçiu ‘mat forcat’ me të miturin: : Po qëllonte efektivët me gurë!
Ministrja i del në mbrojtje policisë së Prodës
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar nga foltorja e Kuvendit lidhur me akuzat e opozitës se policia ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve gjatë protestës kombëtare të mbajtur më 24 janar.
Në fjalën e saj, Koçiu theksoi se Policia e Shtetit ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin, duke mohuar kategorikisht pretendimet për përdorim force të tepruar. Sipas saj, efektivët nuk kanë ushtruar dhunë, por përkundrazi janë përballur vetë me akte të rënda dhune gjatë tubimit.
Ministrja deklaroi se gjatë protestës, punonjësit e policisë janë sulmuar me koktej molotov, mjete piroteknike dhe sende të forta, pranë institucioneve të rëndësisë së veçantë. Si pasojë, 11 efektivë policie mbetën të lënduar dhe morën ndihmë mjekësore në spital.
Koçiu nënvizoi se policia ka respektuar të gjitha procedurat ligjore, duke bërë fillimisht thirrje të vazhdueshme për ndalimin e dhunës dhe ruajtjen e karakterit paqësor të protestës. Vetëm pasi këto thirrje u shpërfillën dhe situata u përshkallëzua, duke krijuar rrezik për institucionet dhe qytetarët, u ndërmorën masa për shpërndarjen e turmës, sipas parashikimeve ligjore.
“Akuza për përdorim force të tepruar apo mjete përtej nevojës janë të pavërteta dhe të pabazuara. Çdo veprim është kryer ashtu siç e kërkon ligji. E drejta për protestë është kushtetuese, por dhuna nuk është e drejtë politike. Hedhja e molotovëve dhe sulmet ndaj policisë nuk janë protestë, por shkelje e ligjit dhe e rendit demokratik”, u shpreh ministrja, duke shtuar se autorët e dhunës nuk mund të mbrohen apo justifikohen.
Duke iu referuar rastit të 14-vjeçarit të shoqëruar në polici, Koçiu sqaroi se i mituri u dërgua për verifikim pasi dyshohej se po qëllonte me gurë ndaj efektivëve. Sipas saj, sapo u konstatua mosha e tij, ai u mbajt në një ambient të posaçëm, në përputhje me procedurat ligjore, deri në mbërritjen e përfaqësuesit ligjor.
Në këtë kontekst, ministrja akuzoi opozitën se ka përdorur të miturin si “mburojë politike”, duke e cilësuar këtë veprim si të papërgjegjshëm dhe të dënueshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



