Kodi Penal i pleqve të drejtësisë një manual frike
Naim Noka
Nuk jam jurist dhe mundohem të kuptoj duke e lexuar disa herë draftin e Rakipit dhe Ulsiut dhe sa më shumë lexoj draftin e ri të Kodit Penal, aq më shumë më duket sikur nuk është shkruar nga juristë, por nga një sekt gjysmëshurdh e gjysmë i verbër i quajtur “Pleqtë e drejtësisë”, që flenë me Kushtetutën poshtë jastëkut, por nuk e kanë hapur ndonjëherë që nga ’98-ta.
Kush e ka shkruar këtë kod?
Janë ata që dikur gjykonin në emër të Partisë së Punës, sot ligjërojnë me stil “euro-reformist”. Janë gjyqtarë apo prokurorë që dikur jepnin dënime me varje për armiqtë e partisë dhe sot bëjnë “workshop-e për etikë në drejtësi” në hotelet e Durrësit. Janë prokurorë që kanë vjetërsinë e mykut, por shiten si referenca të ligjit.
Ky Kod i Ri Penal nuk ngjan me një akt juridik, por me një manifest represioni, sikur është ideuar gjatë një dreke me paidhaqe në Lalëz, ku me gotat e verës në dorë dhe sytë drejt horizontit të Adriatikut, ndonjëri tha:
“Po sikur ta fusim burgun edhe për kritika në Facebook?”
Dhe të tjerët, ata pleqtë e lavdishëm të drejtësisë, tundën kokën ngadalë…
“Është koha. Populli po flet shumë…”
Ky Kod është një përpjekje për të kriminalizuar zërin, për të ngrirë fjalën e lirë në një vend që është rrënuar nga korrupsioni, por jo nga mendimi ndryshe.
Sepse këtu, hajdutët e tenderëve fluturojnë me charter për në Dubai, ndërsa qytetarët rrezikojnë burg për një status ironik në rrjet.
Nësë fyen një institucion? 2 vjet burg.
Nëse kritikon një prokuror? 3 vjet burg.
Nëse proteston pa leje? 5 vjet me shërbim prove dhe një ndjekje të personalizuar nga shteti.
Sa ka kushtuar ky projekt ligjor?
Miliona euro të padeklaruara.
Sepse për çdo nismë që mban erën e censurës, në Shqipëri ka gjithmonë një fond nga Bashkimi Europian dhe një “ekspert ndërkombëtar” që nuk kupton as gjuhën, as realitetin.
Ky Kod i ri Penal nuk është drejtësi.
Është frikë e koduar.
Një letër e hapur ku shteti i thotë qytetarit: “Mos guxo të mendosh.”
Pleqtë e drejtësisë nuk duan qytetarë të informuar.
Ata duan publik të heshtur.
Qytetarë që përkulen.
Që i bëjnë like SPAK-ut dhe hosanara Edishahut.
Duan të dekorohen me medalje në fund të karrierës dhe të vdesin si “ikonat e reformës në drejtësi”.
Ky Kod Penal është një pështymë në fytyrën e demokracisë.
Dhe nëse dje ishte Sigurimi që përgjonte çdo zë të lirë, sot janë kamerat, call-center-at dhe survejimi dixhital që ndjek çdo mendim ndryshe. Nëse dje duheshin informatorë për të çuar në burg një poet a një mendimtar, sot mjafton një status, një postim apo një “forward” në WhatsApp. Diktatura e Edishahut është më moderne, më elegante, por po aq e dhunshme në thelb. Ajo nuk të fut më në burg për agjitacion e propagandë sepse tani propaganda është ligji vetë.
Po s’u nënshtrove, të pret burgu. Po fole, të pret burgosja. Po heshtje, të pret grabitja. Prandaj Kodi i Ri nuk është veç një ligj është një manifest i qartë: “Jeni nën kontrollin tim. Dhe po guxuat, kam burgun gati.” Ky nuk është më shtet ligjor. Ky është shtet pa ligj, me një sundimtar që e ka kthyer ligjin në kamxhik.
Dhe në vend që të luftojë krimin, po kriminalizon qytetarin.
Në një vend ku drejtësia është bërë biznes për elitat dhe terror për popullin, kërcënimi më i madh nuk është krimi, por vetë ligji.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



