Komandantë, komisarë dhe “tradhtarë”… Rama ngre bunkerin e PS
Edi Rama e ka nisur takimin treditor me drejtuesit kryesorë të mazhorancës dhe qeverisë duke vendosur në qendër të diskutimeve situatën brenda Partisë Socialiste dhe mënyrën e re të organizimit politik.
Sipas informacioneve nga mbledhja, kreu i qeverisë e ka përshkruar situatën si një periudhë ku partia ndodhet “në rrethim”, duke paralajmëruar se çdo individ që largohet nga struktura nuk do ta ketë të lehtë të rikthehet.
Në këtë kuadër, Rama ka prezantuar një skemë të re koordinimi mes drejtuesve politikë të qarqeve, ministrave, deputetëve dhe drejtuesve të institucioneve. Synimi duket se është vendosja e një mekanizmi më të centralizuar, ku informacioni dhe vendimmarrja politike të përcillen në mënyrë të drejtpërdrejtë drejt qendrës.
Në praktikë, bëhet fjalë për një model funksionimi ku çdo lëvizje politike duhet të jetë e koordinuar dhe, pasi të merret vendimi, të zbatohet pa vonesa.
Rama mësohet t’u ketë kërkuar drejtuesve politikë të qarqeve që të raportojnë çdo javë dhe në kohë reale mbi gjendjen e organizimit të PS-së. Në fokus do të jetë edhe evidentimi i anëtarëve, mbështetësve dhe votuesve socialistë që kanë marrë pjesë në protestat e fundit ose që vijojnë të mbështesin ato.
Rama në Pogradec me Ulsi Manjën
Në një zhvillim që ka nxitur edhe interpretime politike, Edi Rama është shfaqur në vilën qeveritare në Pogradec, i shoqëruar nga ministri Ulsi Manja.
Prania e Manjës pranë kryeministrit është lexuar në mënyra të ndryshme brenda mazhorancës. Një pjesë e interpretimeve e lidhin këtë afërsi me mundësinë e një roli të ri për të në qeveri, ndërsa një tjetër skenar që qarkullon është ai i një pozicionimi më të rëndësishëm të Manjës në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste pas 4 shtatorit.
Pikërisht më 4 shtator është planifikuar mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, ku priten vendime të rëndësishme për strukturën drejtuese të partisë dhe organizimin politik në qarqe.
Ndryshime në qarqe dhe një model i ri organizimi
Pas mbledhjes së Asamblesë pritet të bëhen të ditur emrat e rinj të drejtuesve politikë në qarqe, përbërja e re e qeverisë dhe ndryshimet në strukturën drejtuese të Partisë Socialiste.
Skema e re e drejtimit në qarqe pritet të mbështetet në një model me dy figura kryesore. Njëri do të ketë përgjegjësinë për organizimin politik dhe fushatat, ndërsa bashkëdrejtuesi do të fokusohet te menaxhimi i pakënaqësive, kundërshtimeve dhe kontakteve me bazën e partisë.
Ky model është krahasuar me një strukturë të tipit “komandant-komisar”, ku rolet ndahen mes drejtimit të fortë organizativ dhe menaxhimit politik të pakënaqësive.
Në këtë mënyrë, aty ku njëri drejtues do të mbajë një qëndrim më të ashpër dhe kërkues, tjetri pritet të ketë një rol më ndërmjetësues dhe qetësues ndaj strukturave dhe elektoratit.
Rikthimi i figurave të vjetra në PS
Një tjetër lëvizje e rëndësishme që po diskutohet është përfshirja sërish në aktivitetin politik të disa prej figurave të vjetra të Partisë Socialiste.
Sipas zërave që qarkullojnë brenda mazhorancës, këta emra fillimisht mund të përfshihen në një strukturë të konceptuar si “këshilli i të urtëve”, përpara se të kenë një angazhim më të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të partisë.
Mes emrave që përmenden janë Gramoz Ruçi dhe Pandeli Majko, ndërsa në një strukturë këshilluese mund të përfshihen edhe ish-ministra, ish-drejtues dhe figura që kanë pasur rol në themelimin dhe konsolidimin e PS-së.
Në këtë listë janë përmendur gjithashtu Rexhep Meidani, Namik Dokle, Et’hem Ruka dhe Petro Koçi.
Çfarë pritet më 4 shtator?
Paralelisht me ndryshimet në strukturat drejtuese, brenda PS-së po diskutohet edhe një strategji e re për forcimin e lidhjes me bazën e partisë. Një prej elementeve të saj lidhet me atë që është cilësuar si “Prania Besnike”, një mekanizëm për të identifikuar dhe mbajtur aktivë anëtarët dhe mbështetësit që vijojnë të jenë pjesë e strukturave.
Sipas kësaj qasjeje, largimi nga angazhimi politik mund të shihet si një shkëputje nga struktura, çka e bën rikthimin më të vështirë.
Për këtë arsye, mbledhja e Asamblesë Kombëtare më 4 shtator pritet të jetë një moment i rëndësishëm për të kuptuar drejtimin e ri të Partisë Socialiste, ndryshimet në qeveri, riorganizimin e qarqeve dhe mënyrën se si Edi Rama synon të menaxhojë strukturat e partisë në periudhën e ardhshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



