E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Komisioneri Publik debaton me KPA për gjyqtarin Islamaj. Çfarë dyshohet
Lajme

Komisioneri Publik debaton me KPA për gjyqtarin Islamaj. Çfarë dyshohet

Ankimimi i Komisionerit Publik për rikonfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, vazhdon të jetë në proces në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, teksa palët ende nuk kanë rënë dakord për rihetimin administrativ të pasurisë së tij.

Seancen e fundit, Komisioneri Publik ka shprehur pakënaqësi ndaj Kolegjit për disa çështje në rihetimin e Islamajt. KPA-ja kërkoi informacione shtesë, për një pjesë të pikave që kishte parashtruar më herët Komisioneri, ky i fundit, u shpreh në seancën e djeshme se nuk ishte pyetur në lidhje me provat që ata si ankues kërkonin të merrnin dhe se ende nuk ishte bërë e ditur nga Kolegji se për cilën prej çështjeve ishte vendosur rihetim.

Të gjitha këto u debatuan në një seancë që zgjati rreth 5 orë, ku komisioneri Florjan Ballhyra u shpreh se kërkonin rihetim edhe për pika të tjera, krahas atyre të ankimimit fillestar.

“Vetëm për disa prej çështjeve të ankimit, Kolegji pranoi të merrte prova, por nuk na u bë e ditur se për cilën prej çështjeve. Komisioneri vetëm sot u njoh me provat dhe çështjet, ndërsa nuk iu kërkua mendim në lidhje me provat që kërkohen nga ne si ankues të vendimit”, tha ai. Gjyqtari Islamaj, ashtu sikurse më herët, ka kërkuar të rrëzohen pretendimet e Komisionerit Publik dhe tha se pasuria e tij ishte e ligjshme. Më pas, Komisioneri Publik u shpreh se për njërën nga pasuritë e gjyqtarit, tokën në Karpen të Kavajës, KPA-ja ka hetuar vetëm për një nga pikat e kërkuara, atë të historikut të kalimit të pronës nga pronë shtetërore në private.

Sipas tij, nuk është bërë një hetim në lidhje me vlerën e pronës. Komisioneri Publik pretendon se Islamaj e ka blerë për një çmim mjaft më të ulët sesa vlera, duke ngritur dyshime për një çmim fiktiv. Komisioneri tha se ka paqartësi që ngrenë dyshime edhe për historikun e pronës që ka kaluar në disa pronarë, të cilët e kanë shitur gjithnjë me çmim reference. Për pronën, KPA-ja pyeti gjyqtarin nëse ka pasur konflikt interesi me ish-pronarët, ndërsa ai ka thënë se jo.

“Në dijeninë time, nuk kam pasur asnjë rast”, tha gjyqtari. Komisioneri kërkoi një hetim më të thelluar, edhe në lidhje me pasurinë e bashkëshortes dhe fëmijëve të gjyqtarit, si edhe hetime shitjes së një automjeti nga ana e saj. Për shitjen e makinës, gjyqtari nuk disponon dokumentacion për të provuar të ardhurat nga shitja, pasi sipas tij, kalimi i shumës monetare nuk është bërë nëpërmjet sistemit bankar. Ndërkohë, për të dhënë shpjegime më të detajuara në lidhje me këtë shitje, gjyqtarit iu dha më shumë kohë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. KPA-ja vendosi që të rrëzonte kërkesën e Komisionerit Publik për të administruar prova të reja për pasuritë e gjyqtarit. Seancën e shtyu për në datën 20 dhjetor.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.