Komisioni i Ligjeve rrëzon amnistinë për nenin 199/a/3
Burgu për çatinë që pikon, pritja pa fund për legalizimin
Sot, Komisioni i Ligjeve vendosi të lërë jashtë amnistisë penale nenin 199/a/3, një vendim që prek drejtpërdrejt mijëra qytetarë që prej vitesh jetojnë në objekte të mbetura peng i proceseve të pafundme të legalizimit.
Dhe këtu fillon paradoksi shqiptar.
Shteti të mban 20 vjet në pritje për legalizim. Të kërkon dokumente, aplikime, deklarata dhe durim. Shumë durim.
Por kur pas dy dekadash rregullon çatinë që pikon, mbyll një verandë apo bën një ndërhyrje minimale për nevojat e familjes, të kujton se ekziston Kodi Penal.
Nuk të njeh plotësisht si pronar. Nuk ta përfundon legalizimin. Nuk të jep dokumentin e pronësisë.
Por të kërkon leje ndërtimi.
Dhe kur nuk merr dot leje për një pronë që vetë shteti nuk ta njeh plotësisht, përfundon i pandehur.
Pra, nuk mund të marrësh leje sepse nuk je njohur si pronar, por mund të ndiqesh penalisht sepse nuk more leje.
Një logjikë që do ta kishte zili edhe Kafka.
Nuk po flasim për kulla shumëkatëshe apo investime miliona euro. Po flasim për familje të zakonshme që prej 15 apo 20 vitesh presin një përgjigje nga shteti dhe që ndërkohë përpiqen të mbajnë në këmbë shtëpinë ku jetojnë.
Pyetja është e thjeshtë: kush e ka zvarritur legalizimin për dy dekada? Qytetari apo shteti?
Nëse përgjegjësia është e shtetit, atëherë pse pasoja penale duhet të bjerë vetëm mbi qytetarin?
Vendimi i sotëm i Komisionit të Ligjeve nuk është thjesht një zgjedhje juridike. Është një mesazh politik.
Një mesazh se edhe kur shteti dështon për vite me radhë të zgjidhë një problem, faturën vazhdon t’ia dërgojë qytetarit.
Dhe kështu, edhe këtë herë, amnistia kalon pranë derës së halleshiut pa trokitur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



