“Territorialja” kalon në seancë plenare vetëm me votat e PS-së
Projektligji për Reformën Territoriale ka marrë dritën jeshile për t’u shqyrtuar në seancë plenare, pasi u miratua në Komisionin Parlamentar të Ligjeve vetëm me votat e deputetëve të Partisë Socialiste.
Projektligji do të kalojë për votim në seancën plenare të 8 tetorit, duke hapur kështu fazën përfundimtare parlamentare për ndryshimet e propozuara në organizimin territorial të vendit.
Vendimi në Komisionin e Ligjeve është marrë me 8 votat e përfaqësuesve të mazhorancës, ndërsa projektligji vijon tashmë rrugën drejt votimit në Kuvend.
Miratimi në komision vjen në një klimë të tensionuar politike, pasi reforma territoriale është shoqëruar me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa edhe brenda kampit socialist janë shfaqur qëndrime kundërshtuese nga disa deputetë.
Votimi i 8 tetorit pritet të jetë testi i radhës për mazhorancën dhe për mbështetjen që do të marrë në Kuvend harta e re territoriale.
Nëse projektligji miratohet, ndryshimet do të sjellin një riorganizim të njësive të qeverisjes vendore, duke prekur drejtpërdrejt strukturën aktuale të bashkive.
Tashmë vëmendja politike zhvendoset te seanca plenare, ku do të shihet nëse mazhoranca do të sigurojë votat e nevojshme për të kaluar reformën e re territoriale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



