E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Komiteti Teknik dha ‘OK’-ejin pasi…”/ Kthehet normaliteti në shkolla, nga e hëna mësim pa turne
Publik News

“Komiteti Teknik dha ‘OK’-ejin pasi…”/ Kthehet normaliteti në shkolla, nga e hëna mësim pa turne

Nuk ka kaluar as një javë mësimore që Ministria e Arsimit së bashku me ekspertët e komitetit të binden që dëmet e mësimit me orë të shkurtuara dhe me disa turne në të tretin vit me radhë janë më të mëdha se ato që po shkakton pandemia, fundi i së cilës nuk dihet.

1

Pas angazhimit të prindërve në të gjitha shkollat e kryeqytetit ku nxënësve iu duhej të mësonin deri në orët e vona në turnin e tretë ose të katërt, dikasteri i arsimit ka bërë një hap prapa duke lejuar rikthimin normal të mësimit dhe eliminuar kështu distancën e kërkuar në protokollin e ISHP-së.

Lajmin zgjodhi ta jepte vetë ministrja Evis Kushi në orët e vona të së premtes përmes një videomesazhi, që nga e hëna mësimi do të zhvillohet në kushte normale. “Nisur nga shqetësimet tuaja të drejta, por sidomos nga përgjegjësia jonë për të garantuar cilësi në shërbimin arsimor, kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë, komunitetin e ekspertëve dhe Institutin e Shëndetit Publik për të rivlerësuar edhe një herë së bashku të gjitha protokollet anti-Covid që zbatohen aktualisht në shkolla. E në mënyrë të veçantë me ruajtjen e distancës mes nxënësve, çka na ka detyruar të aplikojmë mësimin me turne në disa shkolla në qytetet më të mëdha të vendit”.

Vendimi sërish ka ardhur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, por me kërkesë të ministrisë.

Argumenti kryesor që lejoi shkollat të hapin dyert njëkohësisht për të gjithë nxënësit është vaksinimi, ndonëse pak gjë ka ndryshuar në harkun kohor të pesë ditëve shkollë.

“U jam mirënjohëse ekspertëve, të cilët duke marrë parasysh ecurinë mjaft të mirë të procesit të vaksinimit të mësuesve, na dhanë mundësinë që të rikthejmë mësimin normal në të gjitha shkollat tona, duke filluar që nga dita e hënë e javës tjetër, pa turne dhe me kohëzgjatje normale të orëve mësimore”, deklaroi ministrja në videomesazh teksa falënderon prindërit që sollën në vëmendje këtë shqetësim madhor dhe iu kujton respektimin e masave të tjera për të mos u kthyer në pikën zero.

“Çdo vendimmarrje, përfshirë edhe këtë të sotmen, bazohet mbi situatën epidemiologjike në vend dhe vendimet e ekspertëve të shëndetësisë. Prandaj, duhet të jemi të kujdesshëm për të zbatuar me më shumë përgjegjësi të gjitha masat e nevojshme që mbrojnë shëndetin e të gjithëve.

Vazhdimi i procesit të vaksinimit, mbajtja e maskave, dezinfektimi i mjediseve dhe ruajtja e higjienës, në mënyrë që të mos jemi më të detyruar t’i kthehemi mësimit me turne. Ne nga ana jonë, si Ministri e Arsimit në bashkëpunim me të gjitha strukturat tona në të gjithë vendin, do të angazhohemi fort dhe do të punojmë maksimalisht për të garantuar një proces mësimor të rregullt dhe cilësor. Edhe në mbrojtje të shëndetit, por edhe në mbrojtje të prioriteteve tona, që së bashku të bëjmë më të mirën për fëmijët tanë”, përfundon e para e Arsimit, Kushi.

Kujtojmë që ky vendim i beftë erdhi pas këmbënguljes së prindërve, të cilët përmes një kërkese drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë kërkonin rikthimin e shkollave në normalitet, pasi mësimi me orë të shkurtuara dhe turne, përveçse diskriminues për një pakicë shkollash që mban peshën kryesore të nxënëse, është joeficent.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.