Kompania e njohur e këpucëve Alba Shoes kallëzon në prokurori portalin ‘Pamfleti’

Kompania Alba Shoes ka paditur një portal të quajtur “Pamfleti”, pas një seri shkrimesh të këtij të fundit ku përdoret një gjuhë që tregtuesi i njohur i prodhimit të këpucëve e quan shpifëse dhe shantazhuese.
Portali që ka spikatur edhe më herët për përdorimin e gjuhës ekstreme e quan “shfrytëzues grash e vajzash”, kompaninë qe ka punësuar mbi 2 mijë punëtorë madje e akuzon për “terror, mashtrim, grabitje” duke iu referuar një kompleksi apartamentesh në Krujë.
Në kallëzimin e bërë ne Prokurori, kompania shkruan se e gjithë veprimtaria e saj zhvillohet konform ligjit dhe mbështetet në dokumente publike pa cenuar interesat e shtetit apo individëve privatë.
Alba Shoes është një nga bizneset më të mëdha te prodhimit të këpucëve Made In Albania, e profilizuar në prodhimin e këpucëve të punës.
Kompania “AlbaShoes”, sot faturon 30 milionë euro dhe tregton rreth 3 milionë këpucë në vit.
Më poshtë pjesë nga teksti i padisë:
Nga ana e Platformës mediatike analitike “Pamfleti” është publikuar dhe shpërndarë një artikull i titulluar “Dosja e zezë/Aga i këpucëve Nikolin Lleshi i përfshirë në grabitje apartamentesh dhe trojesh, kompleks pallatesh në Krujë në mënyrë të paligjshme, shiten dy herë banesat“, duke shpifur në kundërshtim me ligjin që unë Nikolin Lleshi jam përfshirë në grabitje të apartamenteve në një kompleks pallatesh në Krujë, dhe linku përkatës si më poshtë; http://pamfleti.net/dosja-e-zeze-agai-i-kepuceve-nikolin-lleshi-i-perfshire-ne-grabitje-apartamentesh-dhe-trojesh-kompleks-pallatesh-ne-kruje-ne-menyre-te-paligjahme-shiten-dy-here-banesat/
Sa sipër po ju drejtohem juve Organit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë si organi kompetent në zbatimin e ligjit mbasi i kallëzuari Platforma mediatike analitike duhet të mbajë përgjegjësi penale për këto shpifje.
E gjithë veprimtaria ime është realizuar në konformitet me ligjet, veprimtaria ime është e pastër dhe mbështetet në dokumenta ligjore dhe akte publike, duke mos cënuar as interesat e personave private as ato shtetërore.
Nga ana e të kallëzuarit Platforma mediatike analitike “Pamfleti”, shpifet duke aluduar se unë jam i përfshirë në një skemë grabitje të apartamenteve në bashkëpunim me Arben Kupi, me të cilin konform ligjit kemi pasur marrëdhënie kontraktuale të lidhura përpara noterit publik. Dokumentacioni provon katërcipërisht se i kallëzuar ka shpifur hapur duke publikuar vetëm gënjeshtra dhe shpifje nga më të ndryshmet, qëllimisht për të hedhur baltë mbi emrin tim.
Vepra penale është kryer me dashje të drejtpërdrejtë, dhe i kanë parashikuar ardhjen e pasojave dhe e kanë dëshiruar ardhjen e tyre.
KËRKOJ: Për sa më sipër, në bazë të Nenit 283 e vijues të Kodit Procedurës Penale kërkoj nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë, regjistrimin e procedimit penal marrjen në përgjegjësi penale të:
Platformës mediatike analitike ‘Pamfleti’, për kryerjen e veprës penale të ‘Shpifja’, parashikuar nga Neni 120 paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Me respekt,
Kallëzuesi Nikolin Lleshi
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



