Kontratat e shëndetësisë të mbushura me korrupsion, reagon deputeti Bardhi: SPAK të hetojë personat përgjegjës për këto abuzime
Deputeti i Partisë demokratike Gazmend Bardhi ka komentuar urdhër arrestet e SPAK dhe GJKKO për 8 persona të akuzuar për shpërdorim detyre dhe mashtrim për rastin e koncesionit të sterilizimit të mjeteve kirurgjikale.

Në reagimin e tij Bardhi shprehet se, sipas tij, “korrupsioni me kontratat publike në shëndetësi nuk është i izoluar vetëm tek koncesioni i sterilizimit. Ai shtrihet nga koncesioni i check-up, e deri tek kontratat sekrete për furnizimet në periudhën e pandemisë”.
Më tej deputeti demokrat thekson se SPAK duhet të hetojë personat real përgjegjës për këto abuzime, teksa ka cilësuar si përgjegjës kryeministrin Edi Rama, ministren e shëndetësisë Ogerta Manastrrliu dhe ish-ministrin e shëndetësisë, Ilir Beqja.
“Edi Rama, Ilir Beqaj dhe Ogerta Manastirliu duhet të hetohen e ndëshkohen për miliona euro abuzime e vjedhje në kurriz të shëndetit dhe jetës së qytetarëve”, thotë Bardhi.
Reagimi i Bardhit
Korrupsioni, abuzimi me detyrën dhe shpërdorimi i fondeve publike, për klientë të parazgjedhur të Qeverisë së Edi Ramës është fenomen i shtrirë kudo në çdo segment të qeverisjes. Ai ka marrë tashmë tiparet e një modeli të përgjithshëm qeverisje që ka dëmtuar rëndë interesin publik.
Korrupsioni me kontratat publike në shëndetësi nuk është i izoluar vetëm tek koncesioni i sterilizimit. Ai shtrihet nga koncesioni i check-up, e deri tek kontratat sekrete për furnizimet në periudhën e pandemisë.
Duke përshëndetur SPAK dhe GJKKO për hapin e parë të hedhur sot për ndëshkimin e korrupsionit në shëndetësi, duhet të gjithë bashkë të nxisim SPAK të hetojë me guxim dhe përgjegjshmëri personat real përgjegjës për këto abuzime. Edi Rama, Ilir Beqaj dhe Ogerta Manastirliu duhet të hetohen e ndëshkohen për miliona euro abuzime e vjedhje në kurriz të shëndetit dhe jetës së qytetarëve.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



