Kontroll i befasishëm në burgun e Durrësit, gjendet një “iPhone”
Një kontroll i papritur është zhvilluar në institucionin e vuajtjes së dënimit në Durrës, në bashkëpunim me Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
Sipas informacioneve, gjatë verifikimeve të kryera në godinën “B”, është zbuluar dhe sekuestruar një telefon celular i tipit iPhone, i shoqëruar me karikues dhe një fishë lidhëse të improvizuar.
Në lidhje me këtë rast janë ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale të nevojshme, ndërsa është hartuar edhe dokumentacioni përkatës për bllokimin dhe sekuestrimin e sendeve të ndaluara.
Ndërkohë, strukturat e specializuara të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB), në bashkërendim me SPAK dhe BKH, po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të ndjekur procedurat ligjore në vijim.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ritheksuar angazhimin e saj për rritjen e standardeve të sigurisë në institucionet penitenciare, si dhe për të parandaluar dhe goditur çdo formë paligjshmërie brenda këtij sistemi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



