Kontrolle në Gjirin e Vlorës, bllokohen 32 mjete lundruese
Policia Kufitare e Vlorës ka intensifikuar kontrollet në hapësirën detare gjatë sezonit veror, duke vendosur në fokus rritjen e sigurisë së lundrimit dhe parandalimin e aksidenteve.
Gjatë patrullimeve në Gjirin e Vlorës dhe në zonën e Shpellës së Haxhi Aliut, efektivët kanë ushtruar kontrolle të detajuara ndaj mjeteve lundruese, kryesisht gomoneve dhe skafeve. Në kuadër të këtij aksioni, janë verifikuar dokumentacionet përkatëse, ndërsa drejtuesit janë udhëzuar të respektojnë rregullat e sigurisë në det.
Autoritetet kanë kërkuar që çdo mjet të pajiset me jelekë shpëtimi për të gjithë pasagjerët dhe të shmanget qëndrimi i turistëve mbi tubolarët e gomoneve gjatë lëvizjes, për të reduktuar rrezikun e aksidenteve.
Kontrolle të veçanta janë zhvilluar edhe në Shpellën e Haxhi Aliut, një ndër destinacionet më të frekuentuara turistike në zonë. Policia Kufitare ka ndaluar qëndrimin e mjeteve me motor të ndezur pranë hyrjes së shpellës, si dhe hyrjen apo zhytjen në brendësi të saj, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbrojtjen e ambientit natyror.
Shefja e Stacionit të Policisë Kufitare për Triportin, Amarilda Shabani, ka bërë të ditur se kontrollet do të vijojnë çdo ditë gjatë gjithë sezonit turistik, për të siguruar respektimin e rregullave dhe për të parandaluar incidentet në det.
Sipas saj, vetëm gjatë muajit korrik janë vendosur 32 masa administrative dhe janë bllokuar po aq mjete lundruese për shkelje të ndryshme të legjislacionit detar. Në dy raste janë aplikuar gjoba prej 500 mijë lekësh të rinj secila për shkelje të rënda.
Policia Kufitare u bën apel të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese që të tregojnë përgjegjësi maksimale dhe të vendosin në plan të parë sigurinë dhe jetën e turistëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



