Kontrolle të papritura janë zhvilluar këtë të shtunë në institucionet e vuajtjes së dënimit në Fier, Vlorë dhe Peqin, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë dhe forcimin e disiplinës në sistemin penitenciar.
Operacioni është drejtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, së bashku me Drejtorin e Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta. Aksioni ka përfshirë kontrolle të menjëhershme në disa ambiente të brendshme të institucioneve.
Kontrollet janë realizuar nga strukturat operacionale të Policisë së Burgjeve, me fokus identifikimin dhe goditjen e çdo sendi të ndaluar që mund të rrezikojë rendin dhe sigurinë brenda këtyre institucioneve.
Gjatë verifikimeve janë zbuluar dhe sekuestruar pajisje dhe aksesorë komunikimi, të cilët përbëjnë shkelje ligjore, si dhe mjete prerëse të improvizuara dhe objekte të tjera të palejuara.
Për të gjitha rastet e evidentuara është vënë në dijeni Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, i cili pritet të ndërmarrë hapat e nevojshëm proceduralë për trajtimin e mëtejshëm të shkeljeve të konstatuara.
Njoftimi i plotë nga Drejtoria e Burgjeve:
Aksion blic në IEVP Fier, Vlorë dhe Peqin
Në vijim të masave për forcimin e sigurisë dhe disiplinës në institucionet penitenciare, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Adriatik Kupi, së bashku me Drejtorin e Policisë së Burgjeve, Drejtues i Lartë Paulin Rajta, drejtuan sot, më datë 09.05.2026, kontrolle të befasishme në IEVP Fier, Vlorë dhe Peqin.
Kontrollet u ushtruan nga forcat operacionale të Drejtorisë së Policisë së Burgjeve, me fokus evidentimin dhe goditjen e sendeve të ndaluara brenda institucioneve.
Gjatë kontrolleve u konstatuan dhe u sekuestruan aksesorë mjetesh komunikimi që përbëjnë vepër penale, mjete prerëse të improvizuara, si dhe sende të tjera të palejuara dhe të tepërta. Për rastet e konstatuara u njoftua Sherbimi i Kontrollit te Brendshem te Sistemit te Burgjeve për veprime të mëtejshme proceduriale.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e vendosur për të garantuar rendin, sigurinë dhe zbatimin e ligjit në çdo institucion të vuajtjes së dënimit.
Kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë në të gjitha IEVP-të. Toleranca ndaj shkeljeve është zero.