Korrupsioni ka çelësat e burgut, drejtësia ka humbur çelësat e shtetit
Drejtoria e Burgjeve publikon videon se si mbulon korrupsionin
Av. Arben Llangozi
Emisioni investigativ “Stop” ka hedhur dritë mbi një nga skandalet më të rënda të viteve të fundit,lirimi nga paraburgimi i një të dënuari kundrejt pagesës. Aty ku shteti duhej të garantonte sigurinë dhe zbatimin e ligjit, zbulohet se gjithçka blihet me para. Pra, aty ku burgu duhet të ishte vendi i disiplinës dhe drejtësisë, është shndërruar në treg pazari. Dhe më ironikja, pazari nuk është për bukë e ujë, por për jetën dhe lirinë e njeriut.
Hetimet, si zakonisht, duan të ndalen te nje individ që në rast shefi i kapur me lekët në dorë. Por ky është vetëm një hallkë e zinxhirit. Ai vetë e thotë hapur, paratë nuk janë për të, por për drejtorin e burgut dhe për drejtues në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Çfarë do të thotë kjo? Që korrupsioni nuk është rastësi, por sistem. Një sistem i organizuar ku shefi është vetëm kasieri, ndërsa drejtori dhe eprorët e tij janë pronarët e vërtetë të këtij biznesi të pistë.
Pyetja e madhe, që sot ulëret në çdo cep të Shqipërisë është, pse nuk u arrestua drejtori i burgut? A ka ai ndonjë statut të veçantë, ndoshta “shenjtor i burgjeve”, që nuk e prek ligji? Apo thjesht drejtori është pjesë e atij grupi të paprekshëm që sistemi i drejtësisë bën sikur nuk i sheh? Ironia është e dhimbshme, në burg hyjnë e dalin të dënuarit me lekë, por jashtë burgut ecën i lirë drejtori, që është garant i këtij pazari kriminal.
Kjo është fotografia e vërtetë e shtetit shqiptar sot, një shtet që nuk mbron qytetarin, por mbron korrupsionin. Një shtet ku “ushtari” sakrifikohet për sy e faqe, ndërsa “komandanti” që firmos, që miraton, që urdhëron, fshihet pas mburojës së pushtetit. Në vend që drejtori i burgut të shoqërohej me pranga, ai vazhdon të komandojë si zot i qelive, një zot që shet lirinë dhe bën pazare me jetën e njeriut.
Kjo është mbrojtje shtetërore e korrupsionit. Dhe kjo është më e rrezikshme se vetë korrupsioni. Sepse kur shteti i jep dorë e mbrojtje drejtorit të një burgu të zhytur në afera, atëherë drejtësia nuk është më drejtësi, është partneritet kriminal. Në këtë pikë nuk flasim më për disa individë të korruptuar, por për një sistem të tërë që i jep mbulesë krimit.
Në këtë video të publikuar, drejtoria e burgjeve përpiqet t’i shitet publikut sikur sistemi funksionon dhe se çdo gjë kontrollohet me rregull, por e vërteta është krejt e kundërta: kjo është një manovër për të mbuluar të vërtetën e hidhur.
Në vend që të hetohet dhe të ndëshkohet autori i vërtetë i krimit, drejtori i burgut, i cili është përgjegjësi kryesor dhe pa firmën e të cilit nuk mund të jepej asnjë leje, institucioni i burgjeve shfaqet si avokat i tij, duke fshehur të madhin pas të voglit dhe duke e kthyer shtetin në garant të korrupsionit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



