E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
KPA lë në fuqi shkarkimin e dy gjyqtarëve
Lajme

KPA lë në fuqi shkarkimin e dy gjyqtarëve

Taulant Tafa dhe Izabela Radovani

Tiranë, 30 shtator 2025 – Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur të lërë në fuqi dy shkarkime nga detyra të vendosura më herët nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), duke vulosur përfundimisht largimin nga sistemi të gjyqtarëve Taulant Tafa dhe Izabela Radovani.

Shkarkimi i gjyqtarit Taulant Tafa

Vendimi për gjyqtarin e Gjykatës së Elbasanit, Taulant Tafa, u mor nga trupi gjykues i KPA, i përbërë nga Albana Shtylla (kryesuese), Sokol Çomo (relator), Ina Rama, Mimoza Tasi dhe Rezarta Schuetz (anëtare).

Në njoftimin zyrtar thuhet se, në përfundim të shqyrtimit, u vendos lënia në fuqi e vendimit nr. 649, datë 24.04.2023 të KPK, që kishte sanksionuar shkarkimin e Tafës për probleme të rënda gjatë procesit të rivlerësimit. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi menjëherë.

Shkarkimi i gjyqtares Izabela Radovani

E njëjta linjë u ndoq edhe për gjyqtaren e Gjykatës së Shkodrës, Izabela Radovani.

Trupi gjykues i KPA, i përbërë nga Ina Rama (kryesuese), Sokol Çomo (relator), Albana Shtylla, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz (anëtare), shpalli vendimin për çështjen nr. 34/2023, duke lënë në fuqi vendimin nr. 647, datë 14.04.2023 të KPK.

Sipas dosjes së rivlerësimit, Radovani kishte mospërputhje në deklarimin e pasurive, mungesa financiare për justifikimin e tyre, si dhe transaksione të dyshimta për një apartament. Ajo e nisi karrierën në drejtësi si ndihmësgjyqtare në vitin 1996, ndërsa prej vitit 2000 ka shërbyer si gjyqtare në Shkodër për më shumë se dy dekada.

Vendime përfundimtare

Të dy vendimet e KPA janë përfundimtare dhe me efekt të menjëhershëm, duke mbyllur kështu çdo mundësi ankimimi nga ana e gjyqtarëve të shkarkuar.

Procesi i vetingut vijon të prodhojë pasoja të rënda për trupën gjyqësore, ku dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë janë larguar nga sistemi për shkak të problemeve me pasurinë, pastërtinë e figurës apo aftësitë profesionale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.