KPK SHKARKON KRYEPROKURORIN E SARANDËS, ADEMI ‘SHPËRTHEN’ KUNDËR TRUPËS GJYKUESE: PO NUK TË FUTA NË BURG, MBAJE MEND
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra drejtuesin e Prokurorisë së Sarandës, Edison Ademi.
Në përfundim të seancës, prokurori ka bërë replika me trupin gjykues.
‘Kjo nuk mbaron këtu, do përballemi sërish bashkë. Po nuk të futa në burg, mbaje mend’, u shpreh Ademi pa përmendur emra.
KPK zbuloi se prokurori ka shkelur etikën dhe është shoqëruar me persona që kanë qenë në hetim për armëmbajtje pa leje dhe trafik të drogës.
Gjithashtu sipas KPK, Ademi kishte edhe probleme me pasurinë pasi kishte bërë deklarim të pasaktë ndër vite.
Në lidhje me kriterin e pasurisë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), ka dorëzuar raport negativ për prokurorin, duke konstatuar deklarim të rremë, fshehje të pasurisë dhe gjendje në kushtet e konfliktit të interesit, sa i takon marrjes me qira të një prone për 99 vite. Ndërkohë, nga hetimi i Komisionit, janë konstatuar pasaktësi lidhur me deklarimin për apartamentin me sipërfaqe 130 metra katrorë në Vlorë, të blerë në vitin 2012 në vlerën 45 mijë dollarëve.
Nga hetimi, janë evidentuar paqartësi edhe për një apartament ku ka jetuar në vitin 2003. Sipas komisionit, subjekti e ka porositur verbalisht këtë apartament në vitin 2002 dhe është tërhequr në vitin 2003. Më tej, relatorja tha se prokurori ka deklaruar në deklaratën veting shpenzime në vlerën e 800 mijë lekëve për mobilie, ndërsa në deklarimin e vitit 2005 shuma është deklaruar 500 mijë lekë.
Problem është konstatuar edhe në blerjen e 2 makinave, shpenzimet për të cilat nuk arrinte t’i justifikonte.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



