Krah për krah me të pandehurën, Rama gjen ‘fajtorin’ e përmbytjeve
“Kur hedhim plehra në rrugë rëndohen pasojat e klimës”
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të martë Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile, në një kohë kur vendi po përballet me përmbytje të rënda në disa qarqe. Në krah të tij, gjatë mbledhjes së zhvilluar në orën 08:30, është parë edhe zv/kryeministrja Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.
Në fokus të takimit janë masat emergjente për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit, si dhe plani për dëmshpërblimin e banorëve që kanë pësuar dëme materiale.
Prej katër ditësh, disa zona të vendit ndodhen në gjendje alarmante. Evakuime janë kryer në Novoselë të Vlorës, në Fier, si edhe në Sukth dhe Katund të Ri në Durrës, për shkak të rrezikut të shtuar nga uji. Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se operacionet e evakuimit janë realizuar përmes koordinimit mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturave dhe strukturave vendore të emergjencave.
Mbledhja e sotme vjen një ditë pas protestës së zhvilluar në Durrës dhe pas akuzave publike për mosfunksionimin e hidrovoreve, si dhe thirrjeve për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Në reagimin e tij, kryeministri ka kërkuar qetësi dhe durim, duke theksuar se prioritet mbetet menaxhimi i situatës dhe ndihma konkrete për qytetarët e prekur.
Ai ka hedhur poshtë pretendimet se përmbytjet janë pasojë e neglizhencës institucionale, duke theksuar se reshjet ekstreme nuk ndalen me akuza apo slogane politike. Sipas Ramës, thirrjet për gjendje të jashtëzakonshme vetëm sa krijojnë konfuzion dhe tension, pa sjellë zgjidhje reale për sigurinë e qytetarëve.
Kryeministri ka theksuar gjithashtu se situata nuk është e izoluar vetëm në Shqipëri, por është pjesë e një fenomeni më të gjerë rajonal dhe evropian, që ka prekur vende si Italia, Greqia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia, për shkak të kushteve ekstreme atmosferike.
Në përfundim, Rama ka vënë theksin te ndryshimet klimatike dhe përgjegjësia njerëzore, duke nënvizuar se ndotja, shkatërrimi i pyjeve dhe keqmenaxhimi i mbetjeve vetëm sa përkeqësojnë pasojat e fenomeneve natyrore.
Autoritetet vijojnë monitorimin në terren, ndërsa strukturat e emergjencave mbeten në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga përmbytjet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



