Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ka paralajmëruar se sulmet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kundër Iranit mund të prodhojnë pasoja të thella dhe afatgjata në politikën ndërkombëtare.
Në një intervistë për një televizion privat, Vuçiç krahasoi zhvillimet aktuale me ndërhyrjen ushtarake të NATO kundër Jugosllavisë në vitin 1999. Sipas tij, edhe atëherë objektivi real ishte rrëzimi i regjimit të Slobodan Milošević, ndërsa sot qëllimi i operacioneve ndaj Iranit është ndryshimi i qeverisë në Teheran.
Presidenti serb argumentoi se sulmet ndaj Iranit përbëjnë një përpjekje për ndryshim regjimi dhe për ta orientuar vendin drejt asaj që ai e quajti “modeli i vlerave perëndimore”. Sipas Vuçiçit, ndërhyrje të tilla janë pjesë e një strategjie më të gjerë për riformatimin e balancave politike në Lindjen e Mesme.
Ai shtoi gjithashtu se ekziston mundësia që Uashingtoni të përpiqet t’i imponojë Iranit një model politik të ngjashëm me atë të Venezuelës, duke sugjeruar vendosjen e një lidershipi që do të ishte më i pranueshëm për Perëndimin.
Në të njëjtën intervistë, Vuçiç kritikoi mënyrën se si po zhvillohen marrëdhëniet ndërkombëtare, duke theksuar se “ligji i forcës” po dominon gjithnjë e më shumë mbi normat e së drejtës ndërkombëtare.
Sipas tij, ndryshimet që po ndodhin në skenën globale janë “tektonike” dhe do të ndikojnë drejtpërdrejt edhe tek shtetet më të vogla. Për këtë arsye, ai tha se Serbia duhet të përgatitet për sfida të reja në fushën e sigurisë.
Vuçiç njoftoi gjithashtu se Serbia do të vijojë të investojë në forcimin e kapaciteteve të saj ushtarake. Ai paralajmëroi se në muajt në vijim do të bëhen publike blerje të reja të sistemeve të avancuara të mbrojtjes ajrore, në kuadër të modernizimit të ushtrisë serbe.







