Kryebashkiaku i Krujës që shmang bankat e jep tendera në fondet limit
Krujë- Në Itali Artur Bushi rezulton dy herë i ndaluar nga autoritetet vendase, ku në njërin rasti nën dyshimet dhe akuzat si i përfshirë në një organizatë kriminale të trafikut të kokainës, ndërsa në Shqipëri qeveris Krujën për dy mandate.
Artur Bushi është kryebashkiaku “enigmatik” i Bashkisë së Krujës, që i hyri politikës në Shqipëri në 2010 pas rikthimit në atdhe nga emigracioni, fillimsiht si kryeta ri ish-komunës së Thumanës dhe për t’u graduar me ndarjen e re territoriale në krye të qytetit të Krujës.
Por pse enigmatik? Artur Bushi është ndër të paktët zyrtarë të zgjedhur vendorë dhe qendrorë që në sistemet bankare nuk rezulton me llogari. Ai preferon që të ardhurat e siguruara t’i ruajë në shtëpi “cash” dhe po ashtu edhe bashkëshortja e tij.
Nga verifiku i deklaratave të pasurisë që ka bërë në Inspektoriatin e Lart të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, ILDKP nga viti 2015, kur u zgjodh për herë të parë në krye të Bashkisë së Krujës me thuajse 55 për qind të votave, deri në vitin 2018. Megjithëse janë thuajse katër vite si kryebashkiak, ai nuk deklaron asnjë llogari bankare dhe të ardhurat i ka të gjitha në “cash”.
Analiza e deklaratave tregon një rritje të vogël të pasurisë së kryebashkiakut të Krujës, që së fundmi i plasi në duar skandali me ujësjellësin dhe helmimin e qytetarëve. Të ardhurat nga rroga si kryetar bashkie dhe pagesa si anëtar i Këshillit të Qarkut të Durrësit për Artur Bushin kanë pasur një trend rritës. Këto të ardhura nga funksionet publike shkojnë në rreth 100 mijë lek në muaj.
Nga deklarimet Artur Bushi rezulton “varfanjak”, që jeton vetëm me rrogën dhe në pronësi ka vetëm një apartament të blerë për 42 mijë e 400 euro në vitin 2012. Te seksioni i shpenzimeve, Bushi deklaron se nuk ka shpenzuar për automjete dhe as për pasuri të tjera të patundshme.
Pjesë e deklarimit të kryebashkiakut të Krujës Artur Bushi që prej vitit 2017 është edhe pasuria e bashkëjetueses së tij, e cila figuron me të ardhura më të larta se ai, me 1.2 milionë lek në vit. Por, megjithëse ka këto të ardhura, edhe bashkëjetuesja e tij nuk rezulton me llogari bankare kursimi.
Megjithatë, pasuria nuk është e vetmja “paqartësi” e kryebashkiakut të Krujës. E shkuara e tij si emigrant në Itali gjithashtu është misterioze. Aktiviteti i tij si emigrant në Itali u rikthye në qendër të vëmendjes së publikut në vitin 2015, kur Shqipëria u përfshi nga debati për dekriminalizimin e politikës. Një investigim i BIRN zbuloi asokohe se kandidati për kryebashkiak i Krujës ishte arrestuar në qershor 2010 nga policia italiane i dyshuar për lidhjet me një organizatë të trafikut të kokainës.
Por, Bushi u lirua një muaj e gjysmë më pas, ndërsa çështja kundër tij u pushua dhe u arkivua në vitin 2011 nga Prokuroria italiane. Përveç kësaj çështjeje, Bushi shënoi në formularin e dekriminalizimit edhe një ndalim të vitit 1996 në Caserta të Italisë, ku ishte liruar menjëherë pas një verifikimi.
Megjithëse në Itali rezulton një herë i ndaluar dhe një herë nën hetim nga autoritetet, në Shqipëri, Artur Bushi u diplomua në histori në Universitetin e Tiranës dhe më pas për drejtësi në një universitet privat. Ai u kandidua nga Partia Socialiste për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Krujës për zgjedhjet e 30 qershorit, ku i vetëm në garë mori mbi 17 mijë vota.
Prej momentin të zgjedhjes si kryetar komune në Thumane në 2011, aktualisht kryetari i Bashkisë së Krujës zotëronte pasuri me vlerë 2.3 milionë lek, kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI. Referuar deklaratës së tij, Bushi zotëronte një automjet me vlerë 13 mijë euro dhe një automjet me vlerë 4 mijë euro.
Në fund të vitit 2017, pasuria e tij e deklaruar kap vlerën e 8.8 milionë lekëve. Ajo përbëhet nga një apartament me vlerë rreth 5.9 milionë lek, kursime që të gjitha në “cash” prej 700 mijë lekësh si dhe automjeti që deklaronte para fillimit të detyrës. Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 9.1 milionë lekë. Rreth 81 për qind e të ardhurave kanë si burim pagën e subjektit nga funksioni, ndërsa të ardhurat nga paga e bashkëjetueses zënë rreth 9 për qind të totalit.
Nga kontrolli logjik i deklaratave të tij, BIRN vëren në 2019-n se nga shtatë vite të deklaruara, Artur Bushi ka probleme në dy prej tyre. Kryebashkiaku i Krujës rezulton me pasuri të pajustifikuar me burimet e deklaruara në vlerën 1.1 milionë lekë në vitin 2012 dhe 2.2 milionë lekë në vitin 2013. Në vitin 2012, ai deklaron blerjen e një apartamenti me vlerë 42 400 euro me burim kryesor një kredi bankare prej 3.9 milionë lekësh. Ndërsa në vitin 2013 ai deklaron se ka shlyer para kohe kredinë në vlerën e 2.5 milionë lekëve si dhe ka kursyer një shumë parash, ndërkohë që të ardhurat e deklaruara janë rreth 775 mijë lekë.
Pasurisë dhe e shkuarës enigmatike të kryebashkiakut “varfanjak” të Krujës i shtohen edhe akuzat në lidhje me tenderat e dhënë nga Bashkia e Krujës. Nën drejtimin e tij, Bashkia e Krujës është akuzuar për dhënien e tenderave në kufijtë e fondit limit për kompaninë Bami ShPK me zyra qendrore në Fushë-Krujë. Kompania hamendësohet se ka fituar këta tendera falë lidhjeve të forta me kryebashkiakun e qytetit.
Të dhënat e siguruara nga Gazeta Shqip tregojnë se në të paktën tre tendera me vlerë mbi 3 milionë euro, nga 2015 deri në 2018 janë dhënë për kompaninë Bami SHPK, përfshirë këtu tenderin e parë të bashkisë nën drejtimin e Artur Bushit. Të gjithë tenderat në fjalë janë kategorizuar me flamur të kuq nga ekspertët e analistët e tenderave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



