E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kryebashkiaku i Memaliajt shpërthen në akuza ndaj Ramës e Kumbaros
Lajme

Kryebashkiaku i Memaliajt shpërthen në akuza ndaj Ramës e Kumbaros

“Rama më përjashtoi nga takimi, Kumbaro bllokon investimet”

Kryetari i Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj, ka reaguar ashpër ndaj qeverisë, duke kundërshtuar atë që e konsideron si një plan për shkrirjen e Bashkisë Memaliaj në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale.

Malaj ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si po zhvillohet procesi i reformës dhe veçanërisht përjashtimin e tij nga takimi ku Kryeministri Edi Rama ka mbledhur kryetarët e bashkive që, sipas diskutimeve për hartën e re territoriale, rrezikojnë të mos jenë më njësi administrative më vete.

Në reagimin e tij, kryebashkiaku i Memaliajt e lidh drejtpërdrejt situatën me vendimmarrjen e qeverisë dhe grupin që po punon për reformën. Ai pretendon se synimi është eliminimi i Memaliajt si bashki më vete.

Malaj ka ngritur akuza edhe ndaj ministres Mirela Kumbaro, duke pretenduar se investimet për Bashkinë Memaliaj janë penguar. Sipas tij, presioni nuk kufizohet vetëm në nivelin qendror, por është shtrirë edhe në Këshillin Bashkiak, ku ai pretendon se po pengohet funksionimi dhe zhvillimi i bashkisë.

“Si ta kuptojmë këtë? E kanë vendosur? Do ta shkrijnë Memaliajn?”, shprehet Malaj, duke e interpretuar mungesën e ftesës në takimin e zhvilluar nga Rama si një sinjal se vendimi për të ardhmen e bashkisë mund të jetë marrë.

Kryebashkiaku i është referuar edhe deklaratave të tij të mëparshme gjatë takimit në Gjirokastër, ku kishte paralajmëruar kundërshtimin ndaj ndryshimeve të mundshme territoriale dhe kishte ngritur shqetësimin për vendimmarrjen politike.

Përballë zhvillimeve të fundit, Malaj ka vendosur të thërrasë qytetarët në protestë.

Tubimi është njoftuar për nesër, në orën 20:00, në Sheshin “Minatori”, në qendër të Memaliajt, ku pritet të kundërshtohet çdo vendim që do të çonte në shkrirjen e bashkisë.

Përplasje në takimin e Ramës me kryebashkiakët

Debatet për hartën e re administrativo-territoriale nuk kanë mbetur vetëm jashtë institucioneve.

Edhe takimi i zhvilluar nga Kryeministri Edi Rama me kryetarët e bashkive është shoqëruar me debate dhe kundërshtime lidhur me kriteret mbi të cilat po shqyrtohet riorganizimi i njësive vendore.

Sipas burimeve, diskutimin e ka hapur kryetari i Bashkisë Poliçan, Adriatik Zotkaj, i cili ka kërkuar shpjegime mbi kriteret që po përdoren për përcaktimin e bashkive që mund të shkrihen.

Zotkaj mësohet të ketë ngritur pyetjen se përse Peqini, Roskoveci dhe Vau i Dejës nuk janë përfshirë në listën e bashkive që rrezikojnë shkrirjen, ndërsa Poliçani është përfshirë, pavarësisht se, sipas argumentit të tij, këto njësi kanë tregues më të dobët të performancës.

Kryebashkiaku ka rikthyer në vëmendje edhe Reformën Administrativo-Territoriale të vitit 2014, duke argumentuar se ajo nuk i përmbushi objektivat e pritshëm. Sipas tij, një prej treguesve që dëshmon dështimin e reformës është edhe tkurrja e vazhdueshme e popullsisë.

Debati Rama-Zotkaj për Poliçanin

Diskutimi është shoqëruar edhe me përplasje mes kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë Poliçan.

Sipas burimeve, në përgjigje të argumenteve të Zotkajt, Edi Rama ka përmendur djegien e teserave të Partisë Socialiste në Poliçan, duke e cilësuar këtë veprim si të turpshëm. Kryeministri mësohet t’i ketë thënë kryebashkiakut se, pas një qëndrimi të tillë, nuk duhej të ishte pjesë e takimit.

Zotkaj nuk e ka lënë pa përgjigje deklaratën e kryeministrit. Sipas burimeve, ai e ka cilësuar si “mosmirënjohje” planin që parashikon shkrirjen e Poliçanit dhe bashkimin e tij me Beratin.

“Paturpësinë nuk e bëmë ne, por ju që po merrni këto vendime”, mësohet të ketë deklaruar kryebashkiaku i Poliçanit.

Debatet në tryezë janë shtrirë edhe te drejtues të bashkive të tjera. Zotkaj ka kritikuar gjithashtu drejtuesen e Dimalit dhe kryetarin e Divjakës.

Ndërkohë, sipas burimeve, Juliana Memaj ka qenë e para që është larguar nga takimi.

Përplasjet e fundit tregojnë se Reforma Administrativo-Territoriale po shoqërohet me kundërshtime edhe nga vetë drejtuesit vendorë, ndërsa bashkitë që mund të preken nga riorganizimi po kërkojnë më shumë qartësi mbi kriteret dhe fatin e tyre në hartën e re territoriale.

Reagimi i plotë:

Të dashur qytetarë,
Duket sikur ka një sulm të mirëorganizuar ndaj Bashkisë Memaliaj.
Kryeministri, së bashku me grupin e Reformës Administrativo-Territoriale, duket se po synojnë shkrirjen e Bashkisë Memaliaj.
Mirela Kumbaro po bllokon të gjitha investimet për Bashkinë Memaliaj, duke vendosur veton ndaj ministrive dhe institucioneve. Kjo frymë, sipas nesh, është përcjellë edhe te Këshilli Bashkiak, me qëllim pengimin e investimeve dhe bllokimin e punës së Bashkisë.
Sot, Kryeministri ka thirrur në takim kryetarët e bashkive që janë propozuar për t’u shkrirë, për të diskutuar dhe dëgjuar arsyet dhe argumentet e tyre. Kryetari i Bashkisë Memaliaj nuk është njoftuar për të dhënë argumentet, për t’u dëgjuar dhe për të mbrojtur interesat e Memaliajt.
Si ta kuptojmë këtë? E kanë vendosur? Do ta shkrijnë Memaliajn?
Po ndodh ajo që unë paralajmërova në takimin e Gjirokastrës: vendos forca e kartonit!
Meqenëse ata nuk duan të na dëgjojnë, e vetmja rrugë që na mbetet janë protestat.
Ndaj ju bëj thirrje nesër, në orën 20:00, të gjithëve të jemi në mbështetje të protestuesve, në Sheshin “Minatori”, në qendër të qytetit.
T’i dalim zot Memaliajt!
MEMALIAJ – BASHKI MË VETE! 🇦🇱
Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.