Kryebashkiaku socialist del në protestë: Ndihem i tradhtuar
Kryetari socialist i Bashkisë së Divjakës, Josif Gorrea, është rreshtuar publikisht kundër propozimit të Partisë Socialiste për Reformën Territoriale, që parashikon shkrirjen e Bashkisë së Divjakës dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Lushnjës.
Gjatë një proteste të zhvilluar në sheshin kryesor të qytetit, Gorrea deklaroi se vendimi i propozuar nga mazhoranca i ka ardhur “si bombë” dhe se ndihet i tradhtuar nga partia që përfaqëson.
Sipas tij, as ai dhe as drejtuesit vendorë nuk janë konsultuar për një vendim kaq të rëndësishëm.
“Dje më ra si bombë lajmi, kur pashë që Bashkia Divjakë ishte një nga 15 bashkitë që do të shkriheshin. Të them të vërtetën, ndihem i tradhtuar, sepse pa asnjë paralajmërim na vjen kjo bombë“, u shpreh Gorrea para qytetarëve.
Kryebashkiaku argumentoi se Divjaka nuk i plotëson kriteret për t’u shkrirë, duke theksuar se bashkia numëron rreth 56 mijë banorë dhe renditet e 26-ta në vend për nga popullsia. Ai shtoi se edhe sipas të dhënave të censusit, në territorin e bashkisë jetojnë rreth 25 mijë banorë, shifër që, sipas tij, është zyrtarisht e njohur nga qeveria.
“Kjo që ndodhi nuk mund të quhet reformë. Një nga kriteret ishte numri i popullsisë dhe bashkia jonë ka 56 mijë banorë. Edhe sipas censusit kemi rreth 25 mijë banorë, një shifër e lartë dhe e pranuar nga qeveria shqiptare“, deklaroi ai.
Protesta në Divjakë vjen në vijim të reagimeve që kanë shpërthyer në disa bashki të vendit pas publikimit të propozimeve për hartën e re territoriale. Në tubim morën pjesë qytetarë me bindje të ndryshme politike, të cilët kundërshtuan shkrirjen e bashkisë dhe paralajmëruan protesta të përditshme deri në tërheqjen e projektit.
Ndërkohë, administrata e Bashkisë së Divjakës ka njoftuar se, duke nisur nga dita e hënë, do të ndërpresë punën në shenjë kundërshtimi ndaj reformës së propozuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



