Kryemadhi i përgjigjet Elona Gjebreas: Anëtarët janë kërcënuar të mos largohen
Monika Kryemadhi i përgjigjet akuzave të socialistes Elona Gjebrea, e cila dje përmes një statusi i quante humbës dhe “jo socialistë të vërtetë” ata anëtarë që i bashkohen LSI-së. Sipas saj, LSI është një parti në çmontim e sipër dhe gati për skrap.
“Në takimin e partisë në çmontim e sipër me të ashtuquajturit anëtarë të PS kishte vetëm një ish-anëtar, i cili nuk ngjan çudi nëse jua them se doli me rezultat ndër më të dobëtit në zgjedhjet e kaluara. Po kush është ai socialist që zgjedh ti bashkohet partisë që më shumë se kushdo i ka luftuar e vazhdon i lufton socialistët në aleancë me opoziten?! Natyrisht asnjë socialist! Socialistët e vërtetë janë ata që kanë ideale e nuk rendin për të ndërruar ombrellën e partisë sa herë kanë zgjedhje”, shkruante ndër të tjera Elona Gjebrea.
Ndërkohë, sot këtij reagimi të deputetes socialiste i është përgjigjur vetë kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, e cila ka zbuluar se kur “disa drejtorë të Tiranës” nuk kanë ndaluar dot me kërcënime anëtarët e PS që të shkojnë drejt LSI, i quajnë publikisht si humbës. Sipas Kryemadhi, pasi nuk ju ka ecur metoda e kërcënimit, i quajnë anëtarët që u largohen si të panevojshëm.
“Statusi i zonjës Gjebrea ka ardhur si rezultat i një tentative tjetër duke kërcënuar këta socialistë që duan të çlirohen nga kapja e kësaj. Pasi nuk ju eci metoda e kërcënimit ndaj këtyre socialistëve, bënë një status që jeni të panevojshëm për ne. Kjo ka ndodhur në PS. Sekti i Rilindjes që ka uzurpuar PS nuk ka nevojë më për socialistët, i donte për tu marrë pushtetin. Nuk i konsideron më ata. I quan të dështuar, të humbur.
Çështja e socialistëve që i bashkohen LSI, dhe është normale, e gjejnë veten pranë LSI. Gjejnë bashkim idesh. Do përmendja fabulën dhelpra dhe rrushët. Kështu dhe historia e statusit të zonjës Gjebrea, pasi tentuan t’i kërcënonin, gjetën një qëndrim të fortë të socialistëve që duan të jenë të lirë nga sekti i Rilindjes, është pozitive, tregon dhimbjen që ata ndjejnë”, u shpreh Monika Kryemadhi, kryetare e LSI.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



