Kryemadhi: Rama në panik, uroj të mos ‘sëmuret’ në seancën e 2 Marsit. Skandalin do e zbardhin amerikanët
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka deklaruar se kreu i qeverisë Edi Rama po tregon arrogancë që ka kaluar çdo kufi ndërsa theksoi se edhe vetë socialistët ndihen të përdorur prej tij.
Ajo u shpreh gjatë fjalës së saj në Kuvend se uron që Rama të mos sëmuret në seancën e 2 Marsit për të munguar sërish në seancë.
“Fjalët tona këtu janë të tepërta. E gjithë filozofia e kësaj seance sot duhet të përmbyllet me një mendim të thjeshtë që këtu sot të kishim kryeministrin për të dhënë shpjegime. Ajo që dua të theksoj është se arrogance e tij ka kaluar çdo lloj kufiri. Kjo vjen edhe nga mendimet skizofrenike që ka për drejtimin e vendit. Edhe vetë socialistët ndihen të përdorur në kulm sepse respekti ndaj tyre është inekzistent.
Nuk përfaqësohen as në qeveri dhe as në grup parlamentar. Vetëm socialistët nuk përfaqësohen në politikat e tij. E kuptoj frikën dhe panikun që e kap kryeministrin prej zullumeve që ka bërë. Përgjegjësitë që ai ka marrë si kryeministër ka vendosur në pozitë të vështirë shtetin shqiptar. Uroj të mos na sëmuret kryeministri me 2 Mars dhe të mos vijë përsëri.
Frika e tij tregohet për mënyrën si ju keni ndërtuar strategjinë mbrojtëse duke pezulluar Komisionin Hetimor sepse keni shfuqizuar ligjin. Nuk dua të zgjatem shumë. Dua të theksoj se kemi nevojë për një parlament funksional dhe për institucionet që janë funksionale. Çështje McGonigal do të shkojë drejt zbardhje. Do e zbardhin vetë amerikanët. Sepse përfshirja e kryeministrit tonë ka kaluar të gjitha limitet qofshin këto diplomatike”, deklaroi Kryemadhi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



