Kthesa dramatike e Federica Mogherinit
Federica Mogherini, ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, ka kaluar nga skenat diplomatike të Brukselit drejt një krize që tronditi institucionin elitar që ajo udhëheq: Kolegjin e Evropës. Pas viteve ku u shfaq si drejtore e qetë dhe rektore e Kolegjit, ajo u përfshi në një hetim penal belg për dyshime të keqpërdorimit të fondeve të BE-së, që përfshinin bastisjen e ndërtesave të kolegjit dhe disa shtëpi private.
Në mesin e të ndaluarve për pyetje ishin vetë Mogherini, zyrtari i lartë i Komisionit Stefano Sannino dhe një anëtar i stafit të kolegjit. Hetimi lidhet me dyshime për mashtrim në prokurim, korrupsion dhe konflikt interesi, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk është akuzuar zyrtarisht deri tani.
Për 52-vjeçaren, kjo përbën një kthesë dramatike nga imazhi i saj i kontrolluar dhe i qetë si rektore, që ajo kishte ndërtuar që nga emërimi në vitin 2020. Në këtë rol, ajo jo vetëm që drejtoi kolegjin gjatë pandemisë, por gjithashtu e zgjeroi atë duke hapur kampuse të rinj në Natolin, Poloni, dhe në Tiranë, Shqipëri.
Mogherini e nisi karrierën politike në radhët e të rinjve të Partisë Demokratike italiane, për të kaluar më pas si ministre e jashtme e Italisë në 2014 dhe më pas si Përfaqësuese e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së. Ajo u bë fytyra diplomatike e BE-së gjatë mandatit të Jean-Claude Juncker, duke negociuar për çështje si programi bërthamor i Iranit, por gjithashtu duke u përballur me kritika nga Brukseli dhe nga vendet anëtare lindore për mosveprim të mjaftueshëm ndaj Rusisë dhe për qasje të butë ndaj krizave ndërkombëtare.
Emërimi i saj si rektore në 2020 ishte gjithashtu i diskutueshëm, duke pasur parasysh mungesën e eksperiencës akademike. Megjithatë, ajo solli një frymë të re në institucion, duke e bërë të duket më politik dhe më të lidhur me botën diplomatike, sesa akademike. Studentët e përshkruanin si të afërt, të dukshme dhe të aksesueshme, ndërsa kolegji nisi të njihej si një vend ku politika dhe akademia bashkëpunojnë ngushtë.
Problemet nisën të shfaqen kur Mogherini u lidh indirekt me organizata të dyshimta në skandalin Qatargate, ku u përfshi ish-eurodeputeti Pier Antonio Panzeri. Ajo gjithashtu promovoi partneritete të reja dhe marrëveshje të jashtme, duke përfshirë hapjen e kampusit të Tiranës, por gjithashtu ruante një rrjet të gjerë kontakti global dhe udhëtonte shpesh për detyra institucionale.
Megjithatë, arrestimi i saj i fundit e vendos Mogherinin në qendër të një skenari të paparashikueshëm. Për Kolegjin e Evropës, një institucion me traditë që nga 1949, bastisjet dhe hetimet e EPPO-së janë një goditje e rëndë, por administrata e institucionit e ka siguruar publikun dhe studentët se mësimi dhe aktivitetet do të vazhdojnë pa ndërprerje, pavarësisht situatës./euractiv
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



