KUJDES! Nëse ju vjen ky mesazh në telefon, MOS e hapni
Thirrja e fortë nga Policia e Shtetit
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar qytetarët këtë të mërkurë që të tregohen tepër të kujdesshëm, pasi së fundmi po qarkullon një mesazh mashtrues me qëllim përfitimin e paligjshëm të parave dhe të dhënave personale.
Sipas njoftimit, qytetarëve u mbërrin në telefon një SMS që i fton të paguajnë online gjoba të pretenduara për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Mesazhi shoqërohet me një link, i cili në asnjë rast nuk duhet klikuar, pasi bëhet fjalë për një skemë mashtrimi të tipit “phishing”.
“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informon se po qarkullon një mesazh ‘smishing’ që synon të mashtrojë qytetarët me gjoba të rreme për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Mesazhi përmban një link mashtrues dhe kërkon kryerjen e pagesave online. Ky nuk është një komunikim zyrtar nga institucionet shtetërore dhe çdo qytetar që e merr këtë SMS duhet ta injorojë dhe të mos klikojë në link, apo të japë të dhëna personale.
AKSK ka ndërmarrë menjëherë masat për raportimin e bllokimit të faqes, për të parandaluar çdo dëm të mundshëm.”, thuhet në mesazhin e AKSK-së.
Në këtë kuadër, AKSK u bën thirrje qytetarëve të mos hapin linqe të dyshimta që vijnë përmes SMS-ve apo email-eve jozyrtare, të mos kryejnë pagesa në faqe që nuk janë domene zyrtare dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të tillë pranë institucioneve përkatëse.
Edhe Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me këtë fenomen, duke konfirmuar se po qarkullojnë mesazhe mashtruese që imitojnë faqen zyrtare të saj dhe synojnë mashtrimin e qytetarëve përmes kërkesave për pagesa të rreme të gjobave të automjeteve.
Policia e Shtetit
Apel për kujdes nga faqe mashtruese që imitojnë Policinë e Shtetit dhe kërkojnë pagesa të rreme për gjoba automjetesh.
Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik informon qytetarët se së fundi është konstatuar qarkullimi i mesazheve mashtruese (SMS) dhe lidhjeve të rreme (linke), të cilat imitojnë faqen zyrtare të Policisë së Shtetit dhe synojnë mashtrimin e qytetarëve, nëpërmjet kërkesave për pagesa të pretenduara të gjobave të automjeteve.
Lidhjet e dërguara çojnë drejt një faqeje të rreme, e cila në pamje të parë paraqitet si faqe zyrtare e Policisë së Shtetit, duke përdorur stemën institucionale, imazhe të ndërtesës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe elemente grafike që imitojnë shërbimet emergjente. Në hapin e parë, qytetarëve iu kërkohet të konfirmojnë identitetin, duke vendosur numrin e telefonit celular. Në hapin vijues, faqja kërkon numrin e targës së automjetit, ndërsa në fazën e fundit iu kërkohet plotësimi i të dhënave bankare, me pretendimin për kryerjen e pagesës së gjobës.
Policia e Shtetit sqaron se kjo faqe nuk është faqe zyrtare, pasi përdor një adresë interneti të rreme (domain: aspalgov.cyou), e cila nuk i përket asnjë institucioni shtetëror.
Ky rast përbën një tentativë mashtrimi kibernetik (phishing), me qëllim përfitimin e paautorizuar të të dhënave personale, numrave të telefonit, të dhënave të automjeteve, të dhënave bankare, PIN-eve dhe kodeve të aksesit në llogari online, duke i ekspozuar qytetarët ndaj rrezikut të humbjeve financiare dhe abuzimit me identitetin e tyre.
Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik apelon për qytetarët:
-Të mos klikojnë në lidhje të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, email-eve apo rrjeteve sociale;
-Të mos vendosin numra telefoni, të dhëna personale apo bankare në faqe jozyrtare;
-Të kenë parasysh se Policia e Shtetit nuk kërkon konfirmim identiteti apo pagesa gjobash përmes linkeve të dërguara me SMS;
-Të verifikojnë çdo informacion vetëm përmes kanaleve zyrtare të Policisë së Shtetit;
-Në rast dyshimi apo mashtrimi, të raportojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve të këtyre veprave, në hapësirën digjitale, si dhe fton qytetarët, që të tregojnë kujdes maksimal për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale dhe financiare


Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



