Kulla mbi Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”
Debat për projektin pranë Parkut të Liqenit
Akuza për interesa ndërtimi dhe pastrim parash
Planet urbanistike për zonën pranë Parkut të Liqenit Artificial kanë rihapur një debat të fortë publik, pas një mbledhjeje të zhvilluar sot nga kryeministri Edi Rama me arkitektë vendas dhe të huaj. Në qendër të polemikave është një projekt që, sipas kritikëve, parashikon ndërhyrje të thella ndërtimore, përfshirë edhe shembjen e godinës së ish-Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, për t’i hapur rrugë ndërtimit të kullave shumëkatëshe.
Kundërshtarët e projektit shprehin shqetësime serioze për ndikimin që këto ndërtime mund të kenë mbi zonën e gjelbër përreth Parkut të Liqenit, si dhe për pasojat sociale mbi komunitetin. Sipas tyre, rasti përfaqëson një tjetër shembull të dominimit të interesave të ndërtimit në një nga hapësirat publike më të ndjeshme të kryeqytetit.
Debati është intensifikuar edhe nga përfshirja e studios së arkitektit italian Stefano Boeri, një emër i njohur në arkitekturën bashkëkohore, por i cili ka qenë më herët objekt raportimesh në mediat italiane për çështje hetimore të natyrës administrative, ende pa një vendim përfundimtar. Kjo ka shtuar dyshimet dhe akuzat për mungesë transparence në përzgjedhjen e aktorëve të përfshirë në projekt.
Deri në këto momente, qeveria nuk ka publikuar detaje zyrtare mbi përmbajtjen e projektit, as mbi fatin e godinës së ish-Shtëpisë së Fëmijës. Institucionet përgjegjëse pritet të japin sqarime në ditët në vijim, ndërsa polemikat në opinionin publik vijojnë të thellohen.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



