Kullë 23 kate në rrugën “Qemal Stafa”, tjetër lagje e vjetër drejt rrafshimit

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një tjetër kullë shumëkatëshe pritet të ndërtohet në një nga zonat më të vjetra të Tiranë, konkretisht në rrugën “Qemal Stafa”, pranë Shkollës së Kuqe. Sipas dokumenteve të zbardhura nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, bëhet fjalë për një projekt që parashikon ndërtimin e një godine deri në 23 kate, në një zonë të dominuar deri më tani nga banesa të ulëta karakteristike.

Plani vendor që rrafshon lagjet e vjetra të Tiranës, kullë

Plani vendor që rrafshon lagjet e vjetra të Tiranës, kullë

Faksimile: Leja e ndërtimit e zbardhur nga AZHT për kullën 23 kate në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë

Projekti shihet si një tjetër hap drejt transformimit të lagjeve tradicionale të kryeqytetit, ku ndërtimet e reja po zëvendësojnë gradualisht vilat dhe shtëpitë përdhese që dikur përfaqësonin identitetin urban të zonës. Sipas të dhënave të siguruara, leja i përket Njësisë Administrative Nr. 8, një zonë që historikisht ka qenë e banuar nga familje të vjetra tiranase.

Plani vendor që rrafshon lagjet e vjetra të Tiranës, kullë

Në foto: Harta e zonës ku do të ndërtohet kulla e radhës në afërsi të Shkollës së Kuqe

Në dokumentacion thuhet se objekti do të jetë me funksion banimi dhe shërbimi, me zhvillues kompaninë “Primo Invest”, në pronësi të Ersi Ngjelës dhe Besnik Palucës. Godina do të kufizohet nga ndërtime ekzistuese përdhese, ndërsa përreth saj do të ketë ndërhyrje infrastrukturore, përfshirë trotuare, hapësira të gjelbërta dhe rrugë ndërlidhëse.

Sipas projektit, ndërtimi do të zërë rreth 9556.81 m² mbi tokë, ku një pjesë e vogël do të shfrytëzohet për ambiente shërbimi, ndërsa pjesa tjetër për banim. Gjithashtu, janë parashikuar edhe tre kate nëntokë me një sipërfaqe totale mbi 3200 m².

Plani vendor që rrafshon lagjet e vjetra të Tiranës, kullë

Plani vendor që rrafshon lagjet e vjetra të Tiranës, kullë

Në foto: Projekti që është miratuar për t’u ndërtuar shumë afër qendrës së Tiranës

Dokumentet theksojnë se zona ka një pozicion strategjik, vetëm rreth 1 km larg qendrës së Tiranës, duke e bërë atë tërheqëse për zhvillime të reja urbane. Për këtë arsye, sipas studimeve vendore, synohet krijimi i një poli të ri zhvillimi që ndërthur funksionet publike dhe private.

Megjithatë, ky zhvillim ka nxitur debat mbi ruajtjen e trashëgimisë urbane. Kritikët argumentojnë se ndërtime të tilla në zona historike rrezikojnë të zhbëjnë identitetin e vjetër të qytetit, duke e zëvendësuar me struktura moderne që nuk përshtaten me karakterin ekzistues.

Ndërsa në shumë qytete europiane si Vjenë, Romë apo Paris, zonat historike ruhen nga ndërtime të larta, në Tiranë duket se trendi po shkon në drejtim të kundërt, duke i hapur rrugë kullave edhe në lagjet më të vjetra të saj.

Publikuar nga Publik Media