Nga Lutfi Dervishi
Sa herë ndodh një tragjedi, fillon skenari që e kemi parë aq shumë sa nuk na bën më përshtypje: bonus qiraje, premtime për rindërtim, (këtë radhë nga vetë kompania), një biznes “bujar” që merr përsipër mobilimin dhe, më vonë, pa shumë zhurmë, edhe një tender si falënderim për këtë biznes.
Ja hodhëm dhe këtë radhë!
Ka vetëm 5 ditë që u shkrumbua pallati në mes të Tiranës, dhe në oborrin e vakisë u shfaqen mes banorëve zv/kryeministrja, deputetë, dhe njerëz të bashkisë. Mesazhi: “do të rregullohet gjithçka. Por pyetjet thelbësore mbeten pa përgjigje: Jo “pse ndodhi? Jo kush e lejoi këtë”, jo “si nuk u ndal më herët”, por “mos u shqetësoni, do ju ndihmojmë gjithcka do të rregullohet”. Në vend të shtetit që parandalon, kemi shtetin që vjen për ngushëllim dhe lë edhe një “qokë”
Me këtë qasje shteti i ngjan asaj amvisës që pasi pastron shtëpinë, mbeturinat i fut nën tapet.
Për tre ditë bëhet zhurmë. Prokuroria bën sikur zgjohet, inspektorët bëjnë sikur do të bëjnë namin, arrestohet kush gjendet më afër vendit të ngjarjes dhe shpallet në kërkim investitori që ka histori të përsëritur me zjarrin. Pastaj ftohet situata. Vijnë të 40-tat, dhe bashkë me to edhe harresa. Deri te skandali radhës.
Zjarri te Farmacia 10 nuk ishte një gjë që na ndodhi për herë të pare, nuk ishte as nga ato raste që bëhen filma. Ishte një paralajmërim i shpërfillur. Edhe në dy rastet e tjera kompania e “zgjidhi” problemin. Nëse do të kishte qasje dhe hetim serioz herën e parë, apo qoftë edhe herën e dytë, sot nuk do flisnim për hallin e banorëve apo për heronjtë zjarrfikës që mezi u futën në vendngjarje dhe për pajisjet e tyre.
E vërteta është e thjeshtë, aq e thjeshtë sa nuk bëhet: kemi vendosur në fasada materiale që digjen më shpejt se benzina.
Mësimi nga zjarri është edhe më i qartë: këto fasada duhen hequr, të gjitha, pa përjashtim, duke filluar nga ato të kompanise që e ka bërë zakon këtë historinë e djegies së fasadave. Por edhe sot, përballë një rreziku real dhe jo imagjinar, përgjigjja është: bamirësi, jo përgjegjësi, jo nxjerrje mësimi.
Pse nuk hiqen fasadat e pa djegura në të njëjtin kompleks? Pse nuk hiqen të paktën fasadat e ndërtuara nga kjo kompani? Kushtojnë shumë?!
Po, kushtojnë shumë, por shumë më pak se një jetë njeriu. (Imagjino për një moment sikur zjarri të kishte rënë naten!)
Banorët dhe jo vetëm ata që jetojnë në zonën e Farmacisë 10, edhe nëse nuk e kërkojnë, meritojnë përgjigje për pyetjen: a janë sot të sigurt në shtëpitë e tyre?
Bashkia Tiranës që është edhe bashkefinancuese në shumë projekte për fasadat e godinave nuk ka nevojë të shfaqet si bamirëse, mjaft t’i japë përgjigje kësaj pyetje.
Shoqatat bamirëse bëjnë punë të mirë dhe nuk është nevoja t’u dalë shteti si konkurrent. Fundjavë Ndryshe dhe Elvis Naçi ndihmojne njerëz që u kanë rënë halle që shteti nuk ua ka zgjidhur dot. Por shteti nuk është shoqatë bamirëse. Shteti nuk mund të sillet sikur të jetë fundjavë ndryshe.
Sepse shteti nuk janë zjarrfikësit që vijnë kur gjithçka ka marrë flakë, nuk janë forcat e ushtrisë apo forcat speciale, që për çdo rast, i trajtojmë si zjarrfikëse. Shteti janë institucionet që duhet ta kishin ndalur zjarrin para se të ndizet, dhe të kishin liruar rrugën për zjarrfikëset para se të binte zjarri.
Nuk kemi nevojë për heronj që shfaqen në ekran dhe postime me Instagram për disa ditë. Kemi nevojë për njerëz normalë dhe institucione që bëjnë punën e tyre çdo ditë, pa zhurmë.
Por mjerisht në vend që të mësojmë nga tragjeditë, mësohemi me to. Dhe presim atë të radhës….







