Sanitarja filipinase si “fshesë korenti”, grabit familjen në mes të Tiranës

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

“Vdiste fare” për unazat me diamant dhe çantat luksoze

Kishte frekuentuar plot 171 herë kazinonë tek “Tajvani”

Një skemë e sofistikuar vjedhjeje është zbuluar në një nga komplekset më luksoze në Tiranë, ku një shtetase nga Filipina ka përfunduar në pranga, e dyshuar se për afro dy vite ka grabitur sende me vlerë të lartë nga banesa e një familjeje shqiptare.

Ngjarja ka ndodhur në kompleksin rezidencial Ambasador 3, ku e dyshuara ishte e punësuar si sanitare me kohë të pjesshme. Sipas hetimeve, ajo ka përfituar nga mungesa e pronarëve, të cilët jetonin jashtë vendit dhe e frekuentonin banesën vetëm në periudha të caktuara.

Denoncimi i bërë nga familjarët ka zbuluar zhdukjen e një sërë sendesh luksoze me vlerë të konsiderueshme. Mes tyre përmenden dy çanta të markës Chanel me vlerë rreth 12 mijë euro, një çantë Hermès që kap vlerën e 46 mijë eurove, si dhe një tjetër e së njëjtës markë me vlerë 6,600 euro.

Lista e sendeve të vjedhura përfshin edhe bizhuteri të shtrenjta, si vathë diamanti 1 karat me vlerë rreth 10 mijë euro dhe një unazë diamanti 3.2 karat që arrin në rreth 15 mijë euro. Gjithashtu, në mënyrë të përsëritur janë marrë edhe shuma parash, nga 100 deri në 500 euro, duke arritur një total prej rreth 20 mijë eurosh.

Hetimet kanë çuar në identifikimin e autores së dyshuar, e cila kishte siguruar një kopje të çelësit dhe hynte në apartament në mungesë të pronarëve. Gjatë kontrollit në banesën e saj, policia ka sekuestruar disa prej sendeve, përfshirë një medalion të markës Bulgari dhe një palë vathë Elisabetta Franchi, ndërsa pjesa më e madhe e pasurisë së vjedhur nuk është gjetur ende.

Sipas të dhënave hetimore, e dyshuara nuk është ndalur vetëm në këtë banesë, por dyshohet se ka kryer vjedhje edhe në shtëpi të tjera të lidhura me familjen ku punonte. Një detaj që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është fakti se ajo ka frekuentuar plot 171 herë një kazino në zonën e “Tajvanit” në kryeqytet, gjatë një periudhe katërmujore.

Gjatë marrjes në pyetje, shtetasja e huaj ka pranuar autorësinë e veprave, duke deklaruar se sendet e vjedhura nuk ndodhen më në posedim të saj.

Aktualisht, ajo ndodhet në paraburgim në institucionin e vuajtjes së dënimit për gratë në Pogradec, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të çështjes dhe rikuperimin e pasurisë së vjedhur.

Publikuar nga Publik Media