E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Protestat e qytetarëve, ish-ministrja socialiste “shuplakë” Ramës
Lajme

Protestat e qytetarëve, ish-ministrja socialiste “shuplakë” Ramës

Ermelinda Meksi i kujton qeverisë detyrimet e Konventës së Aarhusit

Ish-ministrja socialiste, Ermelinda Meksi, i është bashkuar reagimeve publike lidhur me debatet për projektet në Zvërnec dhe Rrjoll, duke kritikuar qeverinë për mungesë transparence dhe konsultimi me qytetarët.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meksi kujton se Shqipëria ka marrë angazhime të rëndësishme ndërkombëtare, duke nënshkruar Konventa e Aarhusit në vitin 1998 dhe duke e ratifikuar atë në vitin 2000.

Sipas saj, kjo konventë përfaqëson një standard europian që lidh mbrojtjen e mjedisit me transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve, duke vendosur në qendër rolin e qytetarëve në vendimmarrje.

Meksi thekson se Konventa e Aarhusit bazohet në tre parime themelore: të drejtën për informacion, pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje dhe aksesin në drejtësi kur këto të drejta cenohen.

Ajo nënvizon se këto standarde nuk janë vetëm çështje mjedisore, por lidhen drejtpërdrejt me demokracinë, sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, duke përfshirë edhe dimensionin e institucioneve ndërkombëtare si OSBE.

Në reagimin e saj, Meksi e konsideron të domosdoshme që shqetësimet e qytetarëve për projekte të tilla të trajtohen seriozisht dhe jo të anashkalohen, pasi ato janë pjesë e një procesi normal demokratik që ndihmon në forcimin e besimit publik dhe parandalimin e konflikteve sociale.

Ajo shton se për një vend që synon integrimin në Bashkimin Europian, transparenca dhe konsultimi publik nuk janë zgjedhje politike, por detyrime që burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara nga vetë Shqipëria.

Në përfundim, ish-ministrja thekson se qytetarët nuk duhet të jenë spektatorë kur merren vendime që prekin mjedisin dhe pasuritë natyrore, por duhet të informohen, dëgjohen dhe të marrin pjesë aktive në proces.

POSTIMI I ERMELINDA MEKSIT

Zvërneci, Rrjolli dhe Konventa Aarhus

 

 

Mes debatit për Zvërnecin dhe Rrjollin, vlen të kujtojmë një angazhim që Shqipëria e ka marrë prej më shumë se dy dekadash.

Shqipëria nënshkroi Konventën e Aarhusit në vitin 1998 dhe e ratifikoi atë në vitin 2000, duke u bërë ndër vendet e para që përqafoi këtë standard europian.

E miratuar më 25 qershor 1998 në qytetin danez Aarhus, kjo konventë konsiderohet një instrument unik, sepse lidh të drejtat mjedisore me transparencën, llogaridhënien e qeverive dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Konventa Aarhus mbështetet në tre parime themelore:

✔️ të drejtën e qytetarëve për informacion;

✔️ të drejtën për të marrë pjesë në vendimmarrje;

✔️ të drejtën për t’iu drejtuar institucioneve dhe drejtësisë kur këto të drejta cenohen.

Por Aarhusi nuk lidhet vetëm me mjedisin. Në filozofinë e tij dhe në frymën e institucioneve europiane, përfshirë dimensionin ekonomiko-mjedisor të sigurisë në kuadër të OSBE-së, transparenca, pjesëmarrja publike dhe qeverisja e mirë konsiderohen elementë të rëndësishëm të sigurisë, stabilitetit social dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Për këtë arsye, shqetësimet dhe pyetjet e ngritura nga qytetarët duhen parë si pjesë e një procesi normal demokratik që ndihmon në forcimin e besimit publik dhe në parandalimin e konflikteve sociale.

Në një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, konsultimi publik dhe transparenca nuk janë thjesht zgjedhje politike, por standarde që burojnë nga angazhimet ndërkombëtare që vetë Shqipëria ka marrë përsipër.

Konventa e Aarhusit na kujton se qytetarët nuk janë spektatorë kur merren vendime që prekin mjedisin dhe pasuritë natyrore të vendit. Ata kanë të drejtë të informohen, të dëgjohen dhe të marrin pjesë në proces.

Ky nuk është vetëm një standard europian i mjedisit. Është një standard europian i demokracisë, sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.