E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
4.2 mln € për Kanye West, ish-ministrja socialiste ‘telendis’ Ramën
Lajme

4.2 mln € për Kanye West, ish-ministrja socialiste ‘telendis’ Ramën

Ish-ministrja e Financave dhe ish-deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, ka reaguar publikisht lidhur me aktin normativ që parashikon financimin e koncertit të artistit Kanye West me 4.2 milionë euro nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Në reagimin e saj, ajo kërkon transparencë të plotë dhe ushtrimin e kontrollit parlamentar mbi këtë vendimmarrje.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meksi thekson se Kuvendi ka përgjegjësinë kushtetuese të verifikojë nëse janë plotësuar kushtet ligjore të “nevojës” dhe “urgjencës”, të cilat justifikojnë miratimin e një akti normativ dhe përdorimin e fondit rezervë të buxhetit të shtetit.

Sipas saj, qytetarët kanë të drejtë të marrin një shpjegim të qartë mbi bazën ligjore të këtij financimi, si edhe të dinë nëse fondet publike janë përdorur në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Meksi nënvizon se transparenca, llogaridhënia dhe respektimi i ligjit janë elementë thelbësorë të administrimit të financave publike dhe përbëjnë bazën për ruajtjen e besimit të qytetarëve te institucionet shtetërore.

Ish-ministrja thekson se Kuvendi, si institucioni që ushtron kontrollin parlamentar dhe miraton aktet normative të Këshillit të Ministrave, duhet të shqyrtojë në mënyrë të detajuar nëse në këtë rast janë respektuar të gjitha kërkesat kushtetuese dhe procedurat ligjore që lidhen me përdorimin e fondit rezervë.

Ajo argumenton se publikimi i aktit normativ e bën edhe më të domosdoshëm një sqarim institucional mbi arsyet që kanë çuar në këtë vendimmarrje dhe mbi kriteret që kanë justifikuar përdorimin e 4.2 milionë eurove nga buxheti i shtetit.

Në përfundim të reagimit të saj, Ermelinda Meksi thekson se në një shtet të së drejtës çdo shpenzim i fondeve publike duhet të jetë jo vetëm në përputhje me ligjin, por edhe i arsyetuar, proporcional dhe në funksion të interesit publik.

Sipas saj, vetëm një proces transparent, objektiv dhe i mbështetur në Kushtetutë mund të garantojë që vendimmarrjet që prekin financat publike të forcojnë besimin e qytetarëve dhe të respektojnë parimet e shtetit të së drejtës.

Postimi i plotë:

Transparenca dhe respektimi i Kushtetutës: detyrim ndaj qytetarëve
Nisur nga lajmet e publikuara në media dhe nga publikimi i aktit normativ lidhur me financimin e koncertit të artistit Kanye West me fondin rezervë të buxhetit të shtetit, konsideroj se është detyrim i Kuvendit të ushtrojë kontrollin e tij kushtetues dhe parlamentar mbi këtë vendimmarrje.
Qytetarët kanë të drejtë të marrin një shpjegim të qartë nëse janë përmbushur kushtet e “nevojës” dhe “urgjencës” për nxjerrjen e këtij akti normativ, si dhe nëse përdorimi i fondit rezervë është bërë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Transparenca, llogaridhënia dhe respektimi i ligjit janë parime themelore të administrimit të financave publike dhe kushte të domosdoshme për ruajtjen e besimit të qytetarëve te institucionet.
Kuvendi, si organi që ushtron kontrollin parlamentar dhe shqyrton/miraton aktet normative të Këshillit të Ministrave, ka përgjegjësinë të verifikojë nëse, në këtë rast, janë respektuar kërkesat kushtetuese dhe ligjore për nxjerrjen e aktit normativ, si edhe kriteret që rregullojnë përdorimin e fondit rezervë të buxhetit të shtetit.
Publikimi i këtij akti e bën edhe më të domosdoshëm një sqarim institucional mbi bazën kushtetuese dhe ligjore të kësaj vendimmarrjeje, si dhe mbi arsyet që justifikojnë përdorimin e fondit rezervë.
Një shqyrtim i plotë, transparent dhe objektiv është thelbësor për të garantuar ligjshmërinë, mbrojtjen e interesit publik dhe forcimin e besimit të qytetarëve në administrimin e fondeve publike.
Në një shtet të së drejtës, çdo përdorim i fondeve publike duhet të jetë jo vetëm i ligjshëm, por edhe i arsyetuar, proporcional dhe në funksion të interesit publik.
Vetëm një shqyrtim serioz, transparent dhe të bazuar në Kushtetutë dhe ligj garanton se çdo vendimmarrje që prek fondet publike i shërben interesit të qytetarëve, forcon besimin te institucionet demokratike dhe mbron parimet e shtetit të së drejtës
Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.